Site icon Telegrafi

Mos u dorëzo kurrë – YouTuberi i famshëm ka bërë debutimin me Hertha Berlinin në moshën 27 vjeçare

YouTuberi i famshëm Nader Jindaoui ka bërë debutimin e tij në futbollin profesionist me Hertha Berlin në moshën 27 vjeçare.

Jindaoui që shpesh poston video së bashku me gruan e tij Louisa dhe vajzën dhe kanë së bashku rreth 1.75 milionë abonentë në kanalin e tyre ‘Jindaouis’ në YouTube, tashmë ka lënë shenjë edhe në futbollin profesionist.

Disa nga postimet e tyre kanë miliona shikime, ndërsa Jindaoui ka hiq pak më shumë se dy milionë ndjekës në Instagram.

Jindaoui bëri debutimin e tij si futbollist profesionist gjatë ndeshjes së raundit të 1/16 së DFB Pokal kundër Hamburgut.

Nader El-Jindaoui u fut në fushë në minutën e 80-të të ndeshjes, e luajtur në Olympiastadion Berlin para 60,000 tifozëve. Pas ndeshjes ai ndau disa foto në Instagram. “Ëndrrat bëhen realitet”, ka shkruar ai.

Më herët, Hertha Berlin kishte postuar një foto të Nader El-Jindaoui duke njoftuar vazhdimin e kontratës së mesfushorit të lindur në Berlin.

Debutimi i Nader El-Jindaoui doli të jetë i paharrueshëm pasi Hertha Berlin siguroi fitore kundër Hamburgut.

Jindaoui që mbante veshur fanellën me numrin 17, e shndërroi goditjen e tij të penalltisë në gol, në fitoren me rezultat 5-3.

Nader El-Jindaoui ka qenë me skuadrën rezervë të Hertha Berlin dhe paraqitet në Regionalliga Verilindore, e cila është niveli i katërt i futbollit në Gjermani.

 

Pas disa dëmtimeve në skuadër ai u ftua nga Hertha Berlin dhe festoi kualifikimin e skuadrës së tij në çerekfinale të DFB Pokal. /Telegrafi/

Exit mobile version