Telegrafi

“Mos përdorni emrin tim për të sulmuar Cristianon!”, Bruno Fernandes përgjigjet komenteve të interpretuara si ‘sulm’ ndaj Ronaldos

Mesfushori me tipare sulmuese, Bruno Fernandes u bëri thirrje tifozëve që të mos keqinterpretojnë komentet e tij pas derbit të Mançesterit dhe të sulmojnë Cristiano Ronaldon.

Pasi luajti një rol vendimtar në triumfin e Manchester Unitedit ndaj Manchester Cityt, Fernandes kishte thënë se tani duken si një ‘skuadër e duhur’.

Disa i morën komentet e tij si një sulm ndaj ish-bashkëlojtarit të tij, Ronaldo, i cili u nda me klubin në nëntor me pëlqim të ndërsjellë. Por, Bruno tani e ka sqaruar komentin e tij duke postuar një mesazh në Instagram.

“E di që është e vështirë të shohësh Manchester United duke bërë mirë, por unë nuk kam asgjë për të thënë për ne në lajme përveç gjërave të mira. Mos e përdorni emrin tim për të sulmuar Cristianon”.

“Cristiano ishte pjesë e ekipit tonë për gjysmën e sezonit dhe siç thashë në shumë intervista, të gjithë që nga ndeshje me Liverpoolin po tregohen të mrekullueshëm dhe po sillen si një ekip i duhur dhe ju mund t’i shihni rezultatet. Ne vazhdojmë!”, shkroi ylli portugez.

Fernandes barazoi në minutën e 78-të në rrethana të diskutueshme, përpara se Marcus Rashford të shënonte golin e fitores ndërsa United mundi rivalët e tyre të  urryer të shtunën.

Rezultati i bëri ata të ngjiten në vendin e tretë me 38 pikë nga 18 ndeshje, një pikë më pak se City dhe gjashtë pikë më pak se Arsenali i vendit të parë, por me një ndeshje më pak. /Telegrafi/