Telegrafi

Morata kritikon VAR-in në La Liga: Nuk ka kritere të njëjta, penalltitë për ne nuk i shohin, ato kundër gjithmonë

Ka trajnerë, futbollistë dhe analistë që nuk bien dakord me atë që po ndodh me sistemin VAR dhe i fundit kësaj liste që i shtohet është sulmuesi i Atleticos së Madridit, Alvaro Morata.

Zemërimi i ish-sulmuesit të Juventusit shpërtheu nga ajo që ndodhi në ndeshjen ndaj Rayo Vallecanos.

“Na ka lënë shije të hidhur. Personalisht nuk kuptoj më asgjë, në zonën tonë shohin gjithçka. Kur ka një penallti të qartë për ne, megjithatë, nuk ndodh njësoj”, ka thënë Morata.

Tutje ai shpjegoi se çfarë nuk po funksionon në përdorimin e VAR-it.

“VAR-i është për të ndihmuar, por nuk ka të njëjtat kritere. Ditën tjetër më anuluan një gol për një faull kur as që e kisha prekur kundërshtarin. Kur bën pyetje, nuk të japin asnjë shpjegim. Me VAR-in duhet të jetë gjithçka më e qartë”, ka thënë sulmuesi spanjoll. /Telegrafi/