Telegrafi

Monaco largon gjigantët evropian, yjet e skuadrës kampione nuk janë në shitje

Monaco mund të konsiderohet pa më të voglin dyshim si zbulimi i madh i këtij sezoni. Formacioni i Leonardo Jardim zhvilloi një kampionat fantastik në Francë duke zbritur, Paris Saint Germainin nga froni dhe duke fituar titullin e parë pas plot 17 vitesh.

E gjitha falë punës së shkëlqyer të portugezit Jardim, por edhe për meritë të një grupi futbollistësh që pavarësisht moshës së re treguan se zotërojnë një potencial të jashtëzakonshëm duke e çuar Monacon edhe deri në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Lexo po ashtu Monaco shpallet kampion i Francës pas 17 vitesh (Video)

Paraqitjet e mira të lojtarëve të tillë si Kylian Mbappe, Bernardo Silva, Benjamin Mendy, Fabinho apo edhe Thomas Lemar kanë vënë në lëvizje klubet më të mëdha të Evropës të cilat kërkojnë ti shkëpusin Monacos, xhevahirët e saj.

Por ky mision nuk do të jetë aspak i thjeshtë për gjigantët e futbollit evropian si Reali i Madridit, Manchester United apo edhe Atletico e Madridit, sepse drejtuesit e Monacos kanë vendosur të mos shesin asnjë nga yjet e tyre.

Lexo po ashtu Monaco refuzon ofertën e Liverpoolit për Mbappen

Presidenti Vadim Vasyliev, i ka siguruar të gjithë se asnjë lojtar nuk i ka kërkuar largimin dhe në merkaton e ardhshme, Monaco do të synojë të përforcohet dhe jo të shesë lojtarët e saj më të mirë.

Duket e vështirë që klubi nga Principata të mbajë në skuadër emra të tilla si Kylian Mbappe apo Bernardo Silva duke pasur parasysh milionat që ofrojnë Reali i Madridit e Manchester United, megjithatë ky është një sinjal që drejtuesit e Monacos kanë një projekt të rëndësishëm për të pasur një skuadër akoma edhe më të fortë se kjo aktualja në të ardhmen.