Site icon Telegrafi

Momenti kur shefi i linjës ajrore përkulet në shenjë falje për rrëzimin e aeroplanit në Korenë e Jugut

Presidenti i Jeju Air, Kim E-bae, u përkul teksa u kërkoi falje familjeve të prekura nga aksidenti me aeroplan në Korenë e Jugut, duke thënë se ndjen “përgjegjësi të plotë” për rrëzimin.

Bëhet e ditur se 179 persona vdiqën dhe dy u shpëtuan nga aeroplani me 181 persona që u rrëzua në aeroportin ndërkombëtar Muan në Korenë e Jugut.

Fluturimi 7C2216 i Jeju Air, i cili po shkonte nga kryeqyteti i Tajlandës, Bangkok me 175 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, u përpoq të ulej rreth orës 9 të mëngjesit në aeroportin në jug të vendit.

Një burrë dhe një grua, anëtarë të ekuipazhit, u shpëtuan, ndërsa të gjithë të tjerët vdiqën, përcjell Telegrafi.

Pamjet e publikuara tregojnë Boeing 737-800 duke rrëshqitur në pistë pa pajisje uljeje, duke goditur një mur dhe duke shpërthyer.

Lexo po ashtu Vetëm dy anëtarë të ekuipazhit i mbijetojnë rrëzimit të aeroplanit në Korenë e Jugut, gjendeshin në ‘bisht’ të fluturakes

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që përplasja të jetë shkaktuar nga një goditje zogjsh ose nga kushtet e këqija të motit.

Autoritetet e aeroportit raportuan se goditja e shpendëve e bëri të pamundur funksionimin e sistemit hidraulik të uljes.

Pas aksidentit, presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok shpalli shtatë ditë zie kombëtare, e cila do të zgjasë deri më 4 janar.

Exit mobile version