Arsyeja e mosregjistrimit zyrtar ishte për faktin se Federata Zambiane e Futbollit kërkoi që futbollistit të ndjerë, Godfrey Chitalu, t’i njiheshin 107 golat të shënuar në vitin 1972. Për këtë kërkesë, një zëdhënës i FIFA-s sqaroi se kjo organizatë i njeh vetëm golat e shënuar në turnetë e saj dhe jo në kampionatet vendore, që do të thotë se nuk e njeh as rekordin e Chitalu, as të Messit e as të Muellerit.
Megjithatë, në listën e momenteve më të rëndësishme të vitit që lamë pas, është përfshirë rekordi i argjentinasit. Po ashtu, është përmendur paraqitja e Spanjës në finalen e Euro 2012 kundër Italisë, ndërsa është anashkaluar rekordi i Real Madridit për numrin e pikëve të fituara në një sezon. Në listë është penaltia e bukur e Andrea Pirlos ndaj Anglisë, ndërsa mungon ajo e Sergio Ramosit ndaj Portugalisë.
Dymbëdhjetë momentet që e definuan vitin 2012, sipas FIFA-s:
- – Fitimi i Kupës së Kombeve të Afrikës nga Zambia për herë të parë.
- – Riaftësimi i mrekullueshëm i Fabrice Muambas pas infarktit që pësoi në fushë.
- – Goli i Sergio Agueros kundër Queens Park Rangers që ia siguroi titullin Manchester Cityt.
- – Përshëndetja madhështore e Didier Drogbas në finale të Ligës së Kampionëve në Munih.
- – Fitimi i Kupës së Kombeve të Oqeanisë nga Tahiti.
- – Rënia e Rangers nga Liga Premier e Skocisë në Divisionin e Tretë.
- – Penaltia ‘panenka’ e Andrea Pirlos kundër Anglisë në Euro 2012.
- – Triumfi i Spanjës në finale të Euro 2012 me rezultat 4-0 kundër Italisë.
- – Fitorja e skuadrës së femrave të SHBA-ve kundër asaj të Kanadasë me rezultat 4-3 në vazhdime në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike.
- – Katër golat e Zlatan Ibrahimivocit në miqësoren kundër Anglisë.
- – Thyerja e rekordit të Gerd Muellerit nga Lionel Messi.
- – Fitorja e Corinthians kundër Chelseat në finale të Kupës së Botës për Klube në Japoni.
/Telegrafi/