Site icon Telegrafi

Momente interesante nga finalja e Ligës së Kampionëve

Lot në fushë dhe në shkallët e stadiumit, festë në krahun tjetër dhe flamuj që përqafohen mes tyre, sepse kjo ndoshta ishte finalja e fundit për dy prej legjendave të futbollit evropian si Xavi e Pirlo.

Ishin pikërisht dy mesfushorët që në fund të ndeshjes si dy xhentëlmenë të vërtetë u përqafuan me njëri-tjetrit si për t’i thënë Evropës së futbollit se ata duhet të mbeten në historinë e këtij sporti, transmeton Gazeta Tema.

Xavi do të niset me aeroplanin e parë drejt Lindjes së Mesme për një aventurë në Katar, ndërsa Pirlo me shumë mundësi do të marrë drejtimin e kundërt, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një skenë që u luajt përpara syve të kampionëve të mëdhenj, si Ronaldo, Seedorf apo Del Piero, të gjithë të pranishëm në shkallët e Olimpiastadion.

Pak metra më tej, kur skena po bëhej gati për kurorëzimin e kampionëve, Massimiliano Allegri dhe Luis Enrique nuk i kursyen elozhet ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Buffon u përpoq të mbante lart moralin e lojtarëve me më pak eksperiencë, edhe pse ky ishte ndoshta treni i fundit që ai të shpallej kampion Evrope për të kurorëzuar në mënyrën më të mirë një karrierë të artë.

Festa vazhdoi në dhomat e zhveshjes, ku Barcelona mbajti zgjuar përgjatë gjithë natës tifozët katalanas të cilët mbushën sheshin kryesor ku festuan gjatë titullin e pestë.

Pique nuk kurseu një cigare puro pasi kreu ritin e zakonshëm të prerjes së rrjetës, ndërsa Messi dhe djali i tij pozuan krenarë me kupën.

Kjo ndeshje ishte një tjetër sukses për arbitrin turk Cuneyt Cakir, i cili drejtoi ndeshjen më të rëndësishme të karrierës.

Bilbili nga Bosfori rezultoi sërish me fat për Lionel Messin dhe Javier Mascheranon, pasi në Kupën e Botës ai drejtoi edhe gjysmëfinalen mes Argjentinës e Holandës.

Por nëse të gjithë shijuan një finale spektakolare, ka edhe nga ata që ndiejnë disi keqardhje për një tjetër përballje mes Suarez dhe Chiellinit.

Një kafshim i mundshëm nga ana e uruguaianit ishte kuotuar madje edhe nga bastexhinjtë, por mbrojtësi italian ngriti flamurin e bardhë për shkak të një dëmtimi.

Një disfatë që e ngre Juventusin në vendin e parë të humbësve të mëdhenj të finaleve me gjashtë të tilla duke lënë pas Bayern Munichun dhe Benfican, ndërsa Barcelona si askush tjetër është skuadra e vetme që mbyll dy sezone me tripletën e famshme.

Exit mobile version