Telegrafi

Mobilizim kuqezi për Shkëndijën (Video)

Stadiumi “Filipi i Dytë” në Shkup do të vishet kuqezi të enjten.

Kjo arenë do të jetë nikoqire e ndeshjes më të madhe në historinë e deritanishme të Shkëndijës. Skuadra e madhe shqiptare nga Maqedonia do ta presë Gentin, në ndeshjen kthyese të “Play-Off-it” për Europa League.

Belgët para një jave e kanë fituar ndeshjen e parë si vendas me rezultat të ngushtë, 2:1. Shqiptarët patën paraqitje shumë të mirë dhe kjo ka bërë që Shkëndija dhe tifozët e saj shqiptarë ta presin ndeshjen kthyese me besim të madh se do t’ia dalin ta përmbysin disavantazhin dhe të kualifikohen për herë të parë në fazën e grupeve të Europa Leagues, shkruan gazeta Zëri.

Zëri shkruan se klubi kuqezi viteve të fundit është rritur, është bërë evropian, falë investimeve dhe menaxhimit superior nga kompania gjigante shqiptare, “Ecolog” dhe pronari i saj, Lazim Destani.

Biznesmeni i njohur shqiptar e ëndërron qe shumë vite pjesëmarrjen e Shkëndijës në Europa League, sikurse çdo tifoz tjetër shqiptar në Maqedoni, të cilët krenohen me Shkëndijën, e cila është duke e marrë primatin në futbollin e shtetit fqinj.

Për ta kënaqur çdo shqiptar, Destani u ka ofruar premi të majme futbollistëve, në mënyrë që t’ua shtojë akoma më shumë dëshirën e vullnetin për ta mposhtur ekipin belg. Shkëndija nuk ka qenë asnjëherë më afër pjesëmarrjes në një garë të madhe evropiane.