Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është pritur nga kryetari, Fadil Vokrri, me ç’rast ka parë nga afër edhe kushtet në të cilat funksion e punon kjo federatë në zyrat e reja.
MKRS përmes një njoftimi, ka konfirmuar se Ministri Shala dhe kryetari Vokrri biseduan për zhvillimet në futbollin e Kosovës, veçmas ato që lidhen me infrastrukturën sportive dhe investimet e shumta që po bënë MKRS-ja për të krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Shala dhe Vokrri u shprehën se Institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale që Kosova të përgatitë stadiumet për zhvillimin sa më të shpejtë të lojërave me karakter garues, siç janë kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”.
Në këtë takim, ndërmjet Shalës dhe Vokrrit, në veçanti, u bisedua edhe për ecuritë e procedurave rreth ndërtimit të Stadiumit Nacional.
Po ashtu, ministri Shala dhe kryetari Vokrri, diskutuan rreth përgatitjeve që po bënë Përfaqësuesja e Kosovës, për ndeshjet e ardhshme kualifikuese “Rusia 2018”, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës.