Poezi nga: Elizabeth Bishop
Përktheu: Rajmonda Çollaku
Mjeshtëria e humbjes nuk është e vështirë të mësohet;
Kaq e kaq gjëra duket se janë sajuar me qëllimin
për t`u humbur, sa humbja e tyre nuk është ndonjë hata.
Humbe diçka përditë. Zbute zemërimin
e humbjes së çelsave të shtëpisë, apo e një ore të ligë.
Mjeshtëria e humbjes nuk është e vështirë të mësohet;
Fillo ushtrohu edhe më tej, në humbjet e befta:
vende apo emra ku ishte e shkruar
të udhëtoje. Nuk bëhet nami as për to.
Humba orën e nënës sime. Ja! Të fundit a të parafundit
ndër tri shtëpitë që kisha për zemër, e humba.
Mjeshtëria e humbjes nuk është e vështirë të mësohet.
Humba dy qytete, qytete të mrekullueshëm. E më tej,
ca toka që kisha, nja dy lumenj, një kontinent.
Më merr malli, por prapë nami s`u bë.
Edhe për humbjen tënde (zërin gazmor apo një nojmë
që e doja), nuk duhet të kisha gënjyer. Duket qartë,
mjeshtëria e humbjes nuk është e vështirë të mësohet,
edhe pse ngjan (mbaje shënim!) hata e madhe.