Telegrafi

Mjeku.Net lanson produktin “Pyet mjekun”

Mjeku.Net, portal profesional i specializuar për të ofruar tema edukative dhe informative të fushës shëndetësore për lexuesit shqipfolës, u prezantua të enjten në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK).

Mjeku.Net, pjesë e inkubatorit të ICK-së, është një uebfaqe e që i kushtohet ekskluzivisht shëndetësisë, ku lexuesi shqiptar mund të informohet dhe edukohet jo vetëm për mjekimin por edhe për gjithçka rreth parandalimit të sëmundjeve, ruajtjes së shëndetit dhe një jete sa më të mirë. Mjeku.Net, sipas Jaser Veselit – themeluesit dhe kryeredaktorit të këtij portali, tashmë po bëhet një adresë referente për çdo lexues që interesohet për një problem shëndetësor.
“Falë një kombinimi të profesionistëve mjekësorë, të gazetarisë dhe atyre të teknologjisë informative, ne kemi arritur të krijojmë një uebfaqe shumë praktike, të pasur me artikuj të të gjitha sferave të shëndetësisë, por mbi të gjitha të ofruara me një gjuhë të thjeshtë që është e kapshme për çdo lexues”, tha Jaser Veseli gjatë prezantimit në ICK. Rubrika kryesore e portalit është Sëmundjet AZh, ku ofrohen informata për rreth 150 sëmundje me çdo të dhënë, që nga simptomat, diagnostikimi, terapia deri te parandalimi.

Ndërkaq Safter Rama, menaxher i inkubatorit të Innovation Centre Kosovo, tha se përmes portalit Mjeku.Net lexuesit mund të gjejnë më lehtë informatat e specializuara për shëndetësi. “Ky portal është një mundësi e mirë për të qenë i informuar mbi sëmundje të ndryshme dhe tema tjera të larmishme nga sfera e shëndetësisë”, tha Rama.
Gjatë kësaj ngjarje u lansua edhe “Pyet Mjekun”, rubrikë e re brenda portalit Mjeku.Net, përmes së cilës lexuesit shqiptarë në internet mund të kontaktojnë me mjekë të fushave dhe hapësirave të ndryshme shqiptare, për të bërë pyetje rreth shqetësimeve të tyre shëndetësore. “Interneti është opsioni i parë ku njerëzit sot kërkojnë të gjejnë përgjigje për çfarëdo gjëje, përfshirë edhe këshilla për shëndetin e tyre”, tha Jaser Veseli dhe shtoi se “ata shpeshherë e kanë shumë më të lehtë ta hapin telefonin apo kompjuterin dhe të bëjnë një kërkim në internet, se sa ta vizitojnë mjekun, farmacistin, apo edhe të pyesin ndonjë mik, apo të afërm për shqetësimet që ka të bëjë me shëndein”.

Përmes rubrikës “Pyet Mjekun” lexuesit do të mund të parashtrojnë pyetjet në mënyrë shumë të lehtë dhe praktike, thjesht duke e shkruar dhe duke dërguar atë me një klikim. Lexuesit po ashtu do të mund ta zgjedhin edhe mjekun specialist të cilit duan t’ia parashtrojnë pyetjen.

Mjeku.Net ka edhe një rubrikë të veçantë informative, LAJME, ku postohen risi të përditshme nga shëndetësia, si dhe disa rubrika për grupe të veçanta si shtatzënia, fëmijët dhe të moshuarit (shëndeti 50+). Veseli poashtu e prezantoi edhe verzionin në anglisht të portalit– www.webdoctor.me.

Athene Prosjektledelse, Norvegji dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.