Telegrafi

Mjekja akuzohet për vrasje të futbollistit kamerunas

Prokurori publik i Rumanisë ka ngritur padi ndaj mjekes së emergjencës, Elena Duta, për vrasjen e futbollistit kamerunas Patrick Ekeng.

Ekeng, 26-vjeçar, ka kolapsuar në fushë, derisa po luante një ndeshje me skuadrën e tij të elitës rumune Dinamo Bukuresht në maj dhe ka ndërruar jetë pas dështimit të zemrës, shkruan BBC.

Prokurori ka thënë se Duta, specialistja mjekësore në emergjencën që ishte në ambulancën që e dërgoi Ekengun në spital, nuk ka bërë fare përpjekje për ta mbajtur në jetë futbollistin, përcjell Koha Ditore.

Stafi i spitalit po ashtu nuk ishte në gjendje të mbante në jetë futbollistin, pasi ishte tepër vonë.

Një autopsi ka treguar se lojtari po vuante nga disa probleme serioze me zemër, por prokurori i Bukureshtit ka thënë: “Edhe nëse shkaku i vdekjes së Patrick Ekengut ishin problemet me zemër nga të cilat vuante, nga mosveprimi i paarsyetuar i Elena Dutas çdo mundësi të mbijetesës së tij është shuar. Ajo nuk e ka vlerësuar fare gjendjen shëndetësore të lojtarit dhe nuk ka bërë përpjekje për ta mbajtur në jetë”.

Zyra e prokurorit duke cituar statistikat në mjekësi ka thënë se 85 për qind të njerëzve me probleme të ngjashme të zemrës i mbijetojnë sulmit në zemër nëse administrohet defibrilimi brenda 60 sekondave. Mundësitë zvogëlohen për 5.5 për qind çdo minutë që nuk veprohet.

Ekeng ka rënë përtokë në minutën e 70-të të ndeshjes së kampionatit rumun ndërmjet Dinamo Bukureshtit dhe Viitorulit që transmetohej direkt në televizionin rumun.

Ai u shpall i vdekur në spital dy orë më vonë.