Forca e Zlatan Ibrahimovicit ka befasuar edhe mjekët të cilët e kanë operuar suedezin pas lëndimit që pësoi në takimin ndaj Anderlechtit në Ligën e Evropës.
Sipas agjentit të yllit të Manchester Unitedit, Mino Raiola, suedezi është operuar me sukses.
Por, agjenti holandez ka zbuluar se mjekët dëshirojnë të studiojnë trupin e Ibras.
“Gjuri i tij është aq i fortë sa mjekët kanë thënë se nuk kanë parë diçka të tillë”, ka thënë Raiola për gazetën suedeze Expressen.
“Ai ka një gju i cili është pothuajse i pamundur për futbollistët tjerë me 20 vite karrierë. Nuk kishte ndonjë komplikim në gjurin e tij”.
“Zlatan është aq i fortë sa mjekët e dëshirojnë atë për hulumtime pasi të përfundojë karrierën. Ata punojnë në institucionet më të mira hulumtuese për gjunjët dhe ligamente”.
“Pra pasi Zlatan të përfundojë karrierën, ai do të kthehet dhe ata do të intervenojnë serish për të hulumtuar ligamentet e tij”, ka shtuar Raiola.
Vlen të theksohet se Ibrahimovic është ende në SHBA duke u rikuperuar nga lëndimi. /Telegrafi/