Njëra nga kompanitë lidere në teknologjitë e ndërtimit të termocentraleve në botë, Mitsubishi Hitachi ka bërë një prezantim rreth të arriturave më të fundit që ofron kjo kompani në fushën e ndërtimit të termocentraleve.
Ky prezantim i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës është mbajtur të premten në Hotelin Emerald, në Prishtinë.
Në prezantimin e bërë, kjo kompani dha disa shembuj se sa ka arritur kjo teknologji, dhe sa efektive është bërë jo vetëm në efiqencën e prodhimit por edhe në mbrojtjen e ambientit.
Për një model siç pritet të ndërtohet në Kosovë, kjo kompani dha si shembull termocentralin Turoë në Poloni, ku pritet të përmbushen standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit.
Në kohën kur po pritet nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale me investitorin amerikan, që hap rrugën për fillimin e ndërtimit të termocentralit të ri, kompani me renome botërore tashmë kanë filluar të interesohen për këtë projekt. Një nga këto kompani është edhe Mitsubishi Hitachi.
Termocentrali Kosova e Re me mbi 1 miliardë euro investim, pritet të jetë projekti më i madh investiv në Kosovë.
Një pjesë e shoqërisë civile e kanë kritikuar qeverinë se po vazhdon me qasjen për ndërtimin e termocentraleve, por siç u cek nga shumë ekspertë pjesëmarrës në këtë prezantim, Kosova ka një pasuri që duhet shfrytëzuar dhe se brengat nga ndikimi në mjedis duke pasur parasysh teknologjinë e re, nuk duhet të shfaqin ndonjë shqetësim.