Telegrafi

Mitrovica, shteti më i ri i kontrabandës

Propozimi prej gjashtë pikash i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban-Ki Moon për rifillimin e bisedimeve midis shqiptarëve ë Kosoves dhe Beogradit e ka kthyer Mitrovicën përsëri në një fjalë-çelës të politikës aktuale.

Në fakt, Mitrovica, me dypushtetin që është parashikuar për të, me dy pranitë shtetërore, me nje rol të rrudhur të EULEX-it e të UNMIK-ut, duke qenë çështja më delikate e gjashtë pikave të propozimit më të ri të ardhur nga OKB-ja, ka errësuar disa nyje edhe me delikate të këtij propozimi, si rezervimi i disa të drejtave të perkufizuara juridikisht autoriteteve të Beogradit për kontrollin e kufijve, të doganave, të policisë, të faltorëve dhe të transporteve e telekomunikacionit.

Kjo ka bërë që vëmendja e shqiptarëve të përqendrohet tek pyetja se, çfarë humbim me Mitrovicën, pa u kujtuar se çfarë humbim brenda për brenda Kosovës. Po çfarë po ndodh realisht në qytetin verior ? Si mund të kriminalizohet një qytet e njeërajon kur autoriteti i ligjit është diku ndërmjet njërit dhe tjetrit, kur standartet juridike janë të dyfishta, kur të gjithë pretendojnë përparësine dhe askush nuk është i pari.

Nuk e di askush se si do të jetë e ardhmja e Mitrovicës, ku as pushteti i diskutueshëm i UNMIK-ut dhe i KFOR-it, as ai i EULEX-it të sapopagëzuar, nuk janë vërtet pushtete që kontrollojnë gjendjen.

Ajo që dihet me siguri është se tani për tani, pushteti numër një është kontrabanda, krimi ndërkufitar e ndëretnik, anarkia dhe çrregulli, që duket sikur po rregullojnë disi jetën e qytetarëve, më përfitimet kalimtare të rastit, por që realisht, thjesht e kanë futur fatin e Mitrovicës në një tunel pa asnjë sinjal drite në fund. Dhe zgjatja e kësaj gjendjeje, për të cilën të gjithe ankohen, funksionarë e qytetarë, serbë e shqiptarë, në radhë të parë po e kthen Mitrovicën në një rajon të viktimizuar. /tch/