Mbrëmë në orën 19:00 është bërë hapja e edicionit të 14-të të festivalit “Green Fest” në qytetin e Mitrovicës. Në ceremoninë hapëse të festivalit u bë prezantimi i programit që do të jetë pesë ditor.
Pjesëmarrës në natën e parë të “Green Fest” ishin figura të pushtetit qendror e lokal, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shumë të rinj që u ndanë të kënaqur me organizimin e festivalit, shkruan Telegrafi.
Në ceremoninë hapëse të këtij festivali morën pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se në festivalin “Green Fest” bëhet pëbashkimi i natyrës, kulturës dhe komunitetit.
“E ku më mirë se në Mitrovicë bëhen bashkë natyra, kultura dhe komuniteti, e ku më mirë se në ‘Green Fest’ arrin që të këtë përbashkim dhe të shijojmë të gjithë së bashku. Jo vetëm njerëzit e Mitrovicës, por edhe njerëzit nga qytetet tjera dhe ata jashtë Kosovës”, ka thënë Çeku.
Çeku ka thënë se është i nderuar me ftesën të marrë pjesë në “Green Fest” dhe se është shumë i lumtur të marrë pjesë edhe në aktivitete tjera.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, tha se Mitrovica nuk është vetëm një minierë e arit, por sipas tij, është edhe “një minierë e kulturës dhe emancipimit”.
“Mitrovica, si asnjë qytet tjetër nuk e ka të pasur vetëm tokën, nuk është vetëm një minierë e arit, por edhe një minierë e kulturës, emancipimit, muzikës dhe bashkëjetesës. Njerëzit e Mitrovicës janë thesari ynë më i madh, të cilët krijuan traditë dhe vlera të artit bashkëkohor dhe ky festival si shumë aktivitete tjera synojnë rikthimin e shkëlqimit të Mitrovicës”, ka thënë Hamza.
Hamza u shpreh se ky edicion është një projekt multidiciplinar por që fokus të veçantë ka artin dhe kulturën, transmeton Telegrafi.
“Ky edicion i 14-të i ‘Green Fest’-it me temën ‘Lum Na’ është një projekt multidiciplinar por fokus të veçantë ka artin dhe kulturën me qëllim të aktivizmit, promovimit të artistëve kosovarë dhe zhvillimit të jetës kulturore dhe socio-ekonomike në vend”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i festivalit “Green Fest”, Lulzim Hoti, bazuar në temën që ka këtë vit “Lum Na” që i kushtohet lumenjve dhe liqeneve, tha se qytetarët e Mitrovicës duhet t’i mbrojnë këto burime të çmuara për brezat e ardhshëm.
“Mitrovica ka një lidhje të veçantë me ujin, ka katër lumenj. Lumenjt tanë, veçanërisht Ibri, janë dëshmitarë të zhvillimeve historike, por ata kanë luajtur një rol të madh edhe në zhvillimin ekonomik. Historikisht, këtu janë bartë drunj për zhvillime të ndryshme ekonomike, pastaj ky lum ndikon në ekosistemin e gjithë qytetit”, ka thënë Hoti.
Hoti është shprehur se shpreson që këta lumenj të jenë një vlerë dhe pasuri e çmuar e qytetarëve të Mitrovicës. /Telegrafi/