Turkmenistani nuk ka regjistruar as edhe një rast me COVID-19 nga fillimi i pandemisë, kështu të paktën pretendon presidenti i vendit.
“Falë punës që e kemi kryer në Turkmenistan, nuk kemi asnjë rast të coronavirusit”, ka thënë Gurbanguli Berdimuhamedov, transmeton Telegrafi.
Turkmenistani është një nga “vendet e rralla në botë” së bashku me Korenë e Veriut, që zyrtarisht nuk ka raportuar asnjë rast me COVID-19.
Megjithatë Turkmenistani ka filluar në prill të zbut masat kundër coronavirusit – duke hapur restorantet dhe xhamitë. Trenat sërish operojnë, por transporti ajror është akoma i ndaluar.
Por pretendimet e Turkmenistanit që nuk ka regjistruar asnjë rast me coronavirus, janë vënë në pikëpyetje nga vëzhguesit dhe mediat e huaja.
Sipas tyre, diplomati turk në Ashabad ndërroi jetë vitin e kaluar nga coronavirusi, derisa ambasadori britanik në dhjetor në rrjetet sociale pranoi se ishte infektuar me COVID-19 në Turkmenistan. /Telegrafi/