Florent Hadergjonaj ka shkëlqyer në ndeshjen e tij të parë si titullar në Ligën Premier.
Ylli nga Kosova ka startuar për Huddersfieldin në takim ndaj West Bromwich Albion ku skuadra e tij mori tri pikë 1-0.
Djaloshi nga Deçani kishte një paraqitje brilante, ku edhe mori notën më të lartë nga futbollistët në fushë, përveç portierit të skuadrës së tij që u vlerësua më shumë.
22-vjeçari ka shfrytëzuar faqen e tij zyrtare në Facebook për tu shprehur pas fitores së mundimshme por tejet të vlefshme.
Ai është shprehur i lumtur që ka luajtur ndeshjen e parë nga fillimi për Huddersfieldin.
“Çfarë paraqitje fantastike nga skuadra dhe rikthehemi tek fitorja në Premier League. I lumtur me ndeshjen time të parë nga fillimi. Forca Huddersfield”, ka shkruar Hadergjonaj.
Pas fitores së djeshme, Huddersfield është ngritur në pozitën e 10-të në tabelë me 15 pikë të tubuara.
Kujtojmë që Hadergjonaj është i huazuar në Huddersfield nga skuadra gjermane Ingolstadt.
Por ekipi i futur këtë edicion në elitën e futbollit anglez ka të drejtën e blerjës së lojtarit për pesë milionë euro. /Telegrafi/