Telegrafi

Minuta e 93-të, rezultati 2-2, ekipi kundërshtar fillon kundërsulmin – AIK e ndalon në një mënyrë që rrallë e shohim në futboll

(Foto: Screenshot/Twitter/dplay)

Futbolli gjithmonë sjell kënaqësi, pikëllim dhe shumëçka tjetër, në baza javore. Në mënyrë të vazhdueshme prodhon momente që na lënë gojëhapur dhe kujtime që mbahen mend gjithmonë.

Në raste tjera, sjell veprime që ndoshta nuk duhej të ndodhnin, por ia vlen të duartrokitet ideja dhe guximi.

Një situatë të tillë e ka prodhuar liga suedeze në ndeshjen ndërmjet Elfsborg dhe AIK, e cila përfundoi me rezultat 2-2.

(Foto: Screenshot/Twitter/dplay)

Zhvillohej minuta e tretë shtesë dhe pas ekzekutimit të një rivënie nga këndi, Elfsborgu u nis në kundërsulm, ndërsa për ta penguar rrezikun eventual, lojtarët e AIK-ut e morën situatën në dorë.

Derisa portieri kundërshtar e nisi lojën, Sebastian Larsson (ish-mesfushori i Arsenalit) e futi në fushë edhe një top tjetër.

Për ta bërë akoma më interesante situatën, një bashkëlojtar i tij e goditi topin drejt pjesës ku po zhvillohej aksioni dhe gjyqtari u detyrua ta ndalte lojën.

Lojtarët fajtorë u ndëshkuan vetëm me kartonë të verdhe dhe kjo ia vlejti, pasi parandaluan humbjen eventuale. /Telegrafi/