Site icon Telegrafi

Ministrja serbe ka deklaruar se ka diplomuar në shkenca politike, por asnjëherë nuk e ka mbaruar fakultetin

Ministrja për Përkujdesje Familjare dhe Demografisë së Serbisë, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, në biografinë e saj thekson se ka diplomuar për shkenca politike në Fakultetin e Shkencave Politike. Megjithatë, CINS tregon se ajo nuk u diplomua kurrë atje.

Milica Gjurgjeviq Stamenkovski për herë të parë që nga fillimi i politikës nuk u paraqit në Kuvendin Kombëtar si deputete e opozitës në fillim të muajit maj. Në zgjedhjet republikane në dhjetor të vitit 2023, në koalicion me lëvizjen Dveri, partia e saj Zavetnici nuk e kaloi regjistrimin. Përkundër kësaj, Gjurgjeviq Stamenkovski erdhi në Kuvend, por kësaj radhe si ministre e re për Përkujdesje Familjare dhe Demografi.

Në biografinë e saj, e cila iu dorëzua deputetëve së bashku me biografitë e ministrave të tjerë të propozuar, thuhet se pas shkollës së mesme të përfunduar në Beograd, ajo u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike, ku u diplomua për shkenca politike.

Kështu thuhet në ueb-faqen e saj personale prej vitesh dhe pasi u zgjodh ministre, e njëjta gjë thuhet edhe në faqen e Ministrisë që ajo drejton.

Megjithatë, edhe pse pas shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd (FPN), Gjurgjeviq Stamenkovski nuk e mbaroi kurrë ffakultetin, zbulon Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS).

Ajo humbi statusin e saj studentore në atë Fakultet në vitin 2020, gjë për të cilën ata ia bashkëngjiten prova në tekstin e tyre.

Ish-ministri i Arsimit, Srgjan Verbiq, thotë se askush në Qeveri nuk e kontrollon CV-në dhe se kur bëhesh ministër nuk kërkohet dëshmi e arsimit.

“Kam sjellë, sepse kam menduar se duhet të sillen disa dokumente, por askush nuk më ka kërkuar”, tha ai.

Në një prononcim për CINS, ministrja Gjurgjeviq Stamenkovski thotë se diplomën e ka marrë pikërisht këtë vit në Institutin Rus për Diasporë dhe Integrim. Ajo nuk ka dhënë prova për këtë pasi, sipas saj, ka dorëzuar dokumentacionin për regjistrim në studimet master në Universitetin Shtetëror Social Rus. /Telegrafi/

Exit mobile version