Site icon Telegrafi

Ministria konfirmon ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Prizrenit për dhënien e pronës për kuzhinë popullore

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me qëllim të ndërtimit të një kuzhine popullore, dhe i cili është kontestuar nga opozitarët, është konfirmuar si i ligjshëm nga niveli qendror.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përmes një shkrese dërguar në adresë të udhëheqësve të organeve komunale ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit paraprak të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e kësaj prone të paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatshkurtër organizatave të shoqërisë civile.

Kjo ministri pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës ka vlerësuar se i njëjti “është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e mbajtur më datë 18 korrik 2024 ka miratuar vendimin në fjalë, me 16 vota për, 8 kundër dhe 6 abstenime, raporton Telegrafi.

Në këtë seancë kuvendarët opozitarë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje patën shprehur kundërshtitë e tyre lidhur me këtë vendim.

Ilir Gashi pat theksuar se krijimi i kuzhinës popullore është qasje e tejkaluar ngase izolon kategoritë sociale dhe se ka forma më të dinjitetshme për përkujdesjen ndaj tyre.

“Pos kësaj, edhe hapësirat e gjelbra duhet ti ruajmë dhe jo të ndërtojmë objekte aty. Duhet të kemi konsideratë edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh”, pat thënë Gashi.

Ndërsa Islam Thaqi (LVV) pat theksuar se lidhur me këtë propozim vendim ka kontradikta, ka paqartësi dhe qasje diskriminuese ndaj OJQ-ve tjera.

“Komuna ka mjaft objekte që mund të shfrytëzohen për kuzhinë popullore. Por me i dhënë dy mijë metra katrorë për kuzhinë popullore ato i mjaftojnë një salloni të dasmave, jo kuzhinës popullore”, pat deklaruar Thaqi.

Ky vendim sipas arsyetimit të organeve komunale ka për qëllim përmbushjen e interesit të përgjithshëm publik në kuadër të kompetencave të komunës, përkatësisht  ndërtimin e objektit për zhvillimin e aktiviteteve, shërbimin dhe ofrimin e kuzhinës popullore për familjet sociale dhe ato me nevojë, raporton Telegrafi.

Periudha kohore e dhënies në shfrytëzim të pronës komunalë, sipas vendimit është 15 vite, derisa procedura e dhënies do të realizohet përmes ankandit publik.

Kuvendari Ilir Gashi (LVV) edhe javë më parë pat vlerësuar se në këtë vendimmarrje ka kontradikta pasi Komuna para se ta destinonte këtë ngastër për kuzhinë popullore kishte vendosur që të investonte për ndërtimin e parkut të fëmijëve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj pati konfirmuar zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e parkut edhe në këtë lokacion, por se në ndërkohë është vlerësuar se ka një interes më të madh publik, pra ndërtimi i një kuzhine popullore për nevojtarët. /Telegrafi/

Exit mobile version