Ministri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora, ka thënë se Cristiano Ronaldo e ka shkelur protokollin e sigurisë, pasi portugezi fluturoi fillimisht drejt Portugalisë dhe më pas u kthye dje në Torino.
Kjo ka ndodhur edhe pse nuk kishte as 24 orë që ai kishte rezultuar pozitiv më COVID-19.
“Duke shkuar në Portugali dhe më pas duke u kthyer sërish në Itali, pa pasur lejen e autoriteteve shëndetësore, Cristiano Ronaldo ka thyer protokollin anti-Covid”.
Në një intervistë për mediat italiane, Spadafora foli edhe për ndeshjen Juventus-Napoli, që u regjistrua me rezultat 3-0 në të mirë të torinezëve.
“Juve-Napoli? Ishte një vendim për të cilin do të mbaj qëndrim, por të shohim çfarë do të ndodhë me apelimin që do të bëjë Napoli”.
Tutje ai shtoi se kthimi i tifozëve në stadiume nuk do të ndodh deri në muajin dhjetor.
“Mendoj se do të vijojnë të jenë bosh të paktën deri në fund të muajit të ardhshëm. Klubet kanë kërkuar një hapje në masën 25 për qind, por momentalisht do të duhet të presim ecurinë deri në mesin e muajit nëntor dhe më pas të marrim në konsideratë kërkesën e tyre”, ka thënë Spadafora. /Telegrafi/