Telegrafi

Ministri Shala: Gjendja e stadiumit të Lirisë nuk është aspak e mirë (Video)

Të hënën në mesditë, ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala vizitoi klubin e Lirisë.

Në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ u prit nga kryetari i klubit, Mirsad Çollaku me bashkëpunëtor.

Ministri Shala shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij dhe deputeti, Anton Quni, si dhe asambleistë të tjerë në mesin e tyre edhe Qemal Krasniqi, njëherazi nënkryetar i Lirisë.

“Kemi nevojë për investime të menjëhershme në infrastrukturë. Gjendja e stadiumit është e keqe dhe ajo duhet sanuar sa më parë që të jetë e mundur, sidomos kur tashmë jemi pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s”, ka thënë Çollaku, që po ashtu e ka njoftuar ministrin, për projektin që ka Komuna e Prizrenit, lidhur me ndërtimin e stadiumit, e që është në fazën tenderuese.

Në këtë drejtim, kryetari i Lirisë, i ka kërkuar mbështetje ministrit Shala, që edhe Qeveria të kyqet në këtë projekt, ashtu që Prizreni të bëhet me stadium modern dhe që plotëson kriteret për gara ndërkombëtare.

Nga ana e tij, ministri Kujtim Shala, duke parë nga afër gjendjen në stadiumit, ka thënë:

“Kjo gjendje e stadiumit nuk është aspak e mirë dhe ajo do të rregullohet me forcat e përbashkëta. Ne, si Qeveri dhe Ministri do të kyçemi në projektin që tashmë është në fazën përfundimtare të Komunës dhe do të ndihmojmë në përmirësimin e infrastrukturës”, ka thënë ai duke u zotuar se do të ketë ndihmë konkrete.