Site icon Telegrafi

Ministri Lluka: ‘Kosova e Re’ sjellë pavarësi energjetike dhe mundësi të mëdha punësimi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se termocentrali ‘Kosova e Re’, i garanton Kosovës pavarësi energjetike dhe siguri të vazhdueshme me energji elektrike, duke sjellë efekte të mëdha anësore në krijimin e vendeve të punës.

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një mundësi kaq të madhe të gjenerojë vende të reja të punës, si dhe të arrijë pavarësi jo vetëm energjetike, por edhe ekonomike në përgjithësi. /Telegrafi/

Postimi i plotë i ministrit Lluka

Të nderuar qytetarë,

Duke marrë parasysh se interesimi për punësim është i vazhdueshëm, si dhe duke ditur se sa është folur për mundësitë e mëdha për punësim që do t’i sjellë fillimi i ndërtimit të TC Kosova e Re, në këtë shkrim dua të fokusohem tek kjo mundësi e shkëlqyer për gjenerimin e vendeve të reja të punës si dhe rritjen ekonomike të vendit tonë.

Një investim direkt në vlerë rreth 1.3 miliard euro do të jetë një katalizator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo rritje dhe ky zhvillim do të realizohet në disa drejtime njëherësh.

Siç kam deklaruar edhe më herët, ndërtimi i termocentralit të ri do të sjellë mundësi të mëdha punësimi dhe zhvillimi në Kosovë. Disa parallogaritje lidhur me krijimin e vendeve të reja të punës në Projektin e termocentralit Kosova e Re, të deklaruara nga investitori ContourGlobal, por edhe nga studime që janë bërë për ndikimin që do ta ketë Termocentrali, tregojnë se gjatë fazës së ndërtimit do të krijohen rreth 10,000 vendeve të reja të punës, ndërsa pas përfundimit të ndërtimit, kur TC Kosova e Re të futet në Operim, numri i personave të punësuar në operimin dhe mirëmbajtjen e Termocentralit do të jetë rreth 500, e po ashtu edhe një numër shumëfish më i madh përmes nënkontraktimeve të vazhdueshme për 40 vitet e ardhshme.

Fillimi i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re do të jetë një shtysë e madhe për vende të punës të profileve dhe profesioneve nga më të ndryshmet. Në të njëjtën kohë, shumë biznese vendore do të mund të jenë nënkontraktorë për t’i ofruar produktet dhe shërbimet e tyre gjatë fazës së ndërtimit, por edhe më pas. Projekti TC Kosova e Re do të ketë ndikim edhe në rritjen e vendeve të punës që do të krijohen nga shpenzimet që bëjnë furnizuesit e projektit, për të prodhuar materialet që blihen dhe përdoren për projektin.

Po ashtu, një mundësi shumë e madhe për vende të reja të punës do të jetë edhe zhvillimi i minierës së linjitit, që nënkupton vende afatgjate të punës. Ajo çka vlen të ceket është se në mihje aktualisht janë të punësuar rreth 3 mijë persona, ku mbi 45% prej tyre janë afër moshës së pensionimit. Pra, deri në futjen në operim të termocentralit do të nevojitet një numër i madh i punëtorëve për operim me minierën e re të linjitit.

Kurse, kompanitë vendore do të mund të përfitojnë dhe ta rrisin kërkesën për vende të reja të punës edhe në disa faza specifike kur prodhimet dhe shërbimet e tyre do të kërkohen gjatë punëve të mirëmbajtjes dhe riparimeve të termocentralit.

Duhet te theksohet edhe transferi teknologjik dhe ekspertiza që të vijë në vendin tonë. Termocentrali Kosova e Re do të jetë i pajisur me teknologjinë e fundit dhe i ndërtuar nga kontraktorët me prestigjiozë në botë. Andaj, të rinjtë tanë do të kenë mundësi të shkëlqyer të punojnë së bashku me disa nga inxhinierët më të avancuar në botë, duke përdorur dhe teknologjinë e fundit. Kjo eksperiencë u mundëson profesionistëve të vendit tone t’i ofrojnë këto shërbime si në Kosovë, e po ashtu edhe jashtë vendit.

Në këtë aspekt, vlen të ceket se me krijimin e rrethanave të reja për ofertën e punës rritet edhe kërkesa për kuadro të profesioneve të specializuara, me njohuri, shkathtësi dhe kompetenca të zhvilluara, ashtu që ato kuadro do të jenë në hap me kriteret dhe standardet e kërkuara për profile të caktuara.

Furnizimi jo i rregullt me energji elektrike deri më tani ka qenë ndër faktorët kyç për nivelet relativisht të ulëta të investimeve në sektorin privat, qofshin ato vendore apo të jashtme. Problemet e lidhura me furnizim të energjisë elektrike u kushtojnë bizneseve në Kosovë humbje mesatarisht rreth 300 milionë Euro në vit. Këto humbje përfshijnë mes tjerash edhe: humbjet në prodhim dhe në lëndë të parë; dëmtimin e pajisjeve; shpenzimet për blerjen dhe funksionimin e gjeneratorëve; shpenzimet për karburante; shpenzimet e mirëmbajtjes e kështu me radhë.

Mirëpo, sjellja e një investitori serioz si ContourGlobal, si dhe sigurimi i furnizimit me energji elektrike do të jetë një indikator shumë i madh në sjelljen e investime të tjera nga investitorë të vendit e të huaj në sektorë të ndryshëm të industrisë dhe shërbimeve.

Ky termocentral Kosovës i garanton pavarësi energjetike dhe siguri të vazhdueshme me energji elektrike, duke sjellë efekte të mëdha anësore në krijimin e vendeve të punës.

Po ashtu, një komponentë tjetër përfituese dhe me mundësi të krijimit të vendeve të reja të punës do të jetë edhe Kogjenerimi, ku do të mundësohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore nga ana e Termokos, përveç në lagjet e Prishtinës, edhe në qytetet e afërta si Obiliçi, Fushë Kosova e Drenasi. Kjo, përveç se do të kursente jashtëzakonisht shumë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje nga qytetarët, gjithashtu me zhvillimin e mundshëm të këtyre projekteve do të krijoheshin edhe qindra vende të reja të punës.

Andaj, si përfundim dua të them se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një mundësi kaq të madhe të gjenerojë vende të reja të punës, si dhe të arrijë pavarësi jo vetëm energjetike, por edhe ekonomike në përgjithësi. Andaj, jemi me fat që arritëm t’i nënshkruajmë kontratat komerciale me investitorin ContourGlobal, duke sjellë në vend një investim të huaj më të madhin të ndodhur ndonjëherë dhe kështu i hapëm vendit një perspektivë të re dhe shumë të rëndësishme për zhvillim të hovshëm ekonomik.

Exit mobile version