Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Japonisë në Vjenë, Kiyoshi Koinuma, me të cilin ka biseduar për zhvillimet n sferën ekonomike në vend.
Lluka e njoftoi ambasadorin japonez me prioritetet e tij, duke u ndalur te projekti i termocentralit “Kosova e Re”, rehabilitimi i termocentralit Kosova B, planet për termocentralin Kosova A, teknologjinë informative dhe energjinë e ripërtërishme.
Ai ka folur për masat që ka ndërmarrë Qeveria në rritjen e transparencës me qëllim që të përmirësojë ambientin për nxitjen e investimeve të huaja.
Kreu i MZHE-së, ka falënderuar Japoninë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës përmes Agjencisë JICA, në sektorët që lidhen direkt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Nga ana e tij, diplomati japonez Koinuma është ndalur edhe te sektori i energjisë ku tha se ky sektor është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve duke shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje. /Telegrafi/