Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka folur për rëndësinë e invesimit të Qeverisë në Termocentralin “Kosova e Re”.
Lluka ka shkruar se termocentrali “Kosova e Re”, jo vetëm me Strategjinë e Energjisë së Kosovës, por edhe në Strategjitë e financimeve nga Banka Botërore, pastaj edhe të politikave të BE-së, është konsideruar si një përjashtim i domosdoshëm për Kosovën, duke marrë për bazë studimet e shumta që janë bërë.
“Pra, specifikisht, TC ‘Kosova e Re’ është ndër përjashtimet e rralla në botë që ka bërë Banka Botërore për ta financuar, e i cili do të gjenerojë energji elektrike nga linjiti. Por, siç është thënë sa herë, ky termocentral do t’i përmbushë të gjitha kërkesat që dalin nga direktivat evropiane për mbrojtjen e ambientit”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.
Postimi i plotë i ministrit Lluka në Facebook
Politikat qeveritare të energjisë dhe TC “Kosova e Re”
Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm, cilësor, të sigurt dhe të besueshëm me energji elektrike është një ndër kushtet kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të çdo vendi. Në këtë drejtim, Strategjia e Energjisë së Kosovës 2017-2026 përcakton objektivat themelore të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë, duke marrë parasysh zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, furnizimin e qëndrueshëm dhe të besueshëm me energji për konsumatorët, përdorimin efikas të energjisë, zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese konvencionale dhe të ripërtërishme, krijimin e një tregu konkurrues dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin energjetik.
Qeveria e Kosovës ka mbështetur dhe përkrahur si me legjislacion, po ashtu edhe me projekte konkrete zhvillimin e mëtutjeshëm të gjenerimit të energjisë elektrike nga të gjitha resurset potenciale me të cilat posedon Kosova. Për të gjitha projektet e mundshme janë bërë studime e vlerësime të ndryshme. Në këtë rrafsh, mund të themi se Projekti TC ‘Kosova e Re’, është një ndër projektet për të cilat janë zhvilluar studimet më të shumta se për çfarëdo projekti tjetër dhe nga të gjitha studimet kombëtare dhe ndërkombëtare rezulton se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme ripërtëritëse për ta siguruar furnizimin me energji elektrike.
Termocentrali “Kosova e Re”, jo vetëm me Strategjinë e Energjisë së Kosovës, por edhe në Strategjitë e financimeve nga Banka Botërore, pastaj edhe të politikave të BE-së, është konsideruar si një përjashtim i domosdoshëm për Kosovën, duke marrë për bazë studimet e shumta që janë bërë. Pra, specifikisht, TC “Kosova e Re” është ndër përjashtimet e rralla në botë që ka bërë Banka Botërore për ta financuar, e i cili do të gjenerojë energji elektrike nga linjiti. Por, siç është thënë sa herë, ky termocentral do t’i përmbushë të gjitha kërkesat që dalin nga direktivat evropiane për mbrojtjen e ambientit.
Politikë qeveritare në sektorin e energjisë së Kosovës është pavarësia energjetike e vendit, si dhe siguria e furnizimit me energji elektrike. Për t’i arritur këto synime të domosdoshme për shtetin tonë si zgjidhje afatgjatë ka qenë realizimi i Projektit për Termocentralin “Kosova e Re”. Me komisionimin e TC “Kosova e Re”, do të arrihet siguria e furnizimit me energji elektrike, edhe pse do të dekomisionohet ‘Kosova A’.
Termocentrale të tilla me kapacitete edhe më të mëdha sot janë në ndërtim apo operojnë në shumë vende të BE-së, siç është Gjermania, Çekia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Danimarka, Polonia etj. Kurse, tej mase larg këtyre kritereve, pothuajse çdo muaj në Kinë futet në linjë nga një termocentral i përmasave të tilla, pastaj kemi dhe fqinjët, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilët po ndërtojnë termocentrale me djegie të linjitit. Andaj, ne si Qeveri jemi siguruar që TC “Kosova e Re”, është në linjë me të gjitha projektet e ngjashme të vendeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo, MZhE në të njëjtën kohë është duke u angazhuar që, përveç TC “Kosova e Re”, të rris gradualisht edhe energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtëritshme, për të cilat ZRrE ka përcaktuar edhe Tarifat nxitëse, ka lehtësuar procedurat e marrjes së licencave, dhe sipas informacioneve një numër i konsiderueshëm i kompanive tashmë janë pajisur me këto licenca. Në të njëjtën kohë do të rehabilitohet Termocentrali ‘Kosova B’, si dhe po punojmë vazhdimisht dhe po investojmë në rritjen e efiçiencës së energjisë. Gjithashtu, po zhvillojmë edhe planet rajonale, të hapjes së tregut, si dhe po shikojmë mundësinë e një marrëveshje strategjike me Republikën e Shqipërisë, për një treg të përbashkët, pasi që sistemet tona janë komplementare, që e plotësojnë dhe e përmbushin njëra-tjetrën.
Pra, politikat qeveritare në fushën e energjisë janë të shumta dhe në drejtime të ndryshme, duke iu kushtuar vëmendjen e duhur secilit segment nga të cilët shteti ynë do të prosperojë. Një ndër këto politika është edhe Projekti TC “Kosova e Re”, investim i cili do të çojë sinjal të qartë në botë se ne jemi vend me potencial dhe shtet që ofron siguri për investime, ndërsa vet termocentrali “Kosova e Re” do t’iu sigurojë qytetarëve dhe bizneseve furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. /Telegrafi/