Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang nuk është parë në publik për tre javë, një mungesë jashtëzakonisht e gjatë në një periudhe të ngjeshur të aktivitetit diplomatik në Pekin, duke provokuar spekulime intensive në një vend të njohur për paqartësinë e tij politike.
Qin, 57 vjeç, një diplomat karriere dhe ndihmës i besuar i liderit kinez Xi Jinping, u gradua ministër i Jashtëm në dhjetor, pas një periudhe të shkurtër si ambasador në Shtetet e Bashkuara, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Si ministër i Jashtëm, Qin ka bërë “qortime të ashpra” ndaj Uashingtonit pasi marrëdhëniet ranë në një nivel të ri si pasojë e një balone të dyshuar spiune kineze që u rrëzua mbi SHBA.
Ai ka luajtur gjithashtu një rol kyç në përpjekjet e mëvonshme nga të dyja palët për të stabilizuar lidhjet e vështira dhe për të rivendosur komunikimin, duke përfshirë takimin me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Pekin në mes të qershorit.
Por diplomati i profilit të lartë nuk është parë në publik që nga 25 qershori, pasi u takua me zyrtarë nga Sri Lanka, Vietnami dhe Rusia në Pekin.
Në daljen e tij të fundit publike, një Qin i qeshur u pa duke ecur krah për krah me zëvendësministrin e Jashtëm rus Andrey Rudenko, i cili udhëtoi në Pekin për t’u takuar me zyrtarët kinezë pas një kryengritjeje jetëshkurtër nga grupi mercenar Wagner në Rusi.
“Duke pasur parasysh statusin dhe ndikimin e Kinës në botë, është vërtet shumë e çuditshme që ministri i saj i jashtëm nuk është shfaqur në publik për më shumë se 20 ditë”, tha Deng Yuwen, një ish-redaktor i një gazete të Partisë Komuniste, i cili tani jeton në SHBA.
Kur u pyet për mungesën e zgjatur të Qin në një konferencë shtypi të hënën, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze tha se ajo “nuk kishte informacion për të dhënë”, duke shtuar se aktivitetet diplomatike të Kinës po kryhen si zakonisht. /Telegrafi/