Site icon Telegrafi

Ministri i Jashtëm i Greqisë: Jemi kundër çfarëdo ndryshimi të kufijve në Ballkanin Perëndimor

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, ka bërë thirrje për kujdes, pasi që “janë shfaqur akterët e palës së tretë që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, duke theksuar se vendi i tij është kundër ndryshimeve të kufijve në rajon.

“Të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor duhet të luftojnë ndikimet negative dhe t’i përmbahen vlerave evropiane”, ka porositur Dendias nga Sarajeva, ku është takuar me ministren e Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, transmeton Telegrafi.

Diplomati grek ka theksuar se vendi i tij mbështet padyshim integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH, duke pranuar se lobon për siguri dhe stabilitet në rajon – dhe që në parim është kundër çfarëdo ndryshimi të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Dyshja gjatë konferencës për media kanë bërë të ditur se Bosnja dhe Greqia kanë rreth 20 marrëveshje bilaterale në fushën e ekonomisë, mbrojtjes së investitorëve, mbrojtjes, transportit, kulturës, edukimit dhe shkencës. /Telegrafi/

Exit mobile version