Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka përgëzuar djemtë e ekipit Bad News Eagles, pas fitores së tyre historike për t’u kualifikuar në turneun më të madh botëror në video-lojën CS:GO.
Sot ekipi shqiptar nga Kosova ka shkruar historinë duke u bërë ekipi i parë shqiptar që kualifikohet në një turne Major të CS:GO.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes vendimtare të ekipit shqiptar Bad News Eagles, ka përgëzuar djemtë e ekipit, dhe ka shprehur se ndihet krenar për suksesin e tyre, pas fitores historike në Bukuresht të Rumanisë.
Djemtë nga Kosova, do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre tani në turneun PGL Antwerp Major 2022, në qytetin Antwerp të Belgjikës, në garën për çmime në vlera rreth 1.000.000, kundër ekipeve më të mira të botës, transmeton Telegrafi.
Me këtë fitore gjithashtu djemtë e ekipit Bad News Eagles do të kenë stikerat virtual me emrat e tyre në video-lojën CS:GO, të cilat do të dalin në shitje të për të gjithë fansat anë e mbanë botës, dhe një pjesë e fitimeve nga shitja e tyre do të shkoj për lojtarët dhe ekipin.
Kjo është përbërja e ekipit Bad News Eagles:
Flatron “juanflatroo” Halimi
Dionis “sinoppsyy” Budeci
Genc “gxx-” Kolgeci
Rigon “rigoN” Gashi
Sener “SENER1” Mahmuti
Klesti “stikle-” Kola (Trajner)
/Telegrafi/