Site icon Telegrafi

Minatorët e “Trepçës” s’besojnë që do t’i marrin pagat, paralajmërojnë protestë

Foto: Arkiv

Minatorët e “Trepçës” ende nuk i kanë marrë pagat e muajve qershor e korrik. E megjithatë, pavarësisht premtimit të ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes Faton Ahmeti se pagat për minatorët do ekzekutohen javën e ardhshme, ata nuk e besojnë një gjë të tillë. Ata kanë paralajmëruar protestë nëse pagat nuk u dalin në llogari më së largu deri të martën.

Një javë pasi ka marr postin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti ka deklaruar për media se javën e ardhshme do t’u ekzekutohen pagat minatorëve.

Megjithatë, optimist sikurse Ahmeti, nuk po shprehen minatorët, të cilët tash e gati tre muaj nuk kanë marrë paga.

Këtë premtim ata e quajnë të kotë.

“Çfarë premtimi po këto janë premtime të kota, janë pallavra të tyre. S’ka sen prej tyre. Po na do të detyrohemi që nëse nuk ekzekutohen pagat të hënën ose të martën, të vijmë të marshojmë tek parlamenti për t’u stacionuar deri të arrijmë qëllimin tonë, të ekzekutohen pagat”, ka thënë Miftar Mehmeti -minator në Trepçë.

Lexo po ashtu Greva e minatorëve, FSSHK kërkon nga Qeveria dhe menaxhmenti i Trepçës që të bëhet një zgjidhje afatgjate

Njësoj shprehen edhe minatorë të tjerë, të cilët ritheksojnë se ekzekutimi i një page nuk është zgjidhja.

“Nuk jam optimist, por po mbajmë shpresa, s’bën me i humb. Po mbajmë shpresë se dalin e ja nisim punës se kështu nuk shkon, me bo zgjidhje se kështu nuk rrihet. Zgjidhja është me na i vendos dy paga me ia nis punës dhe mos ia imponu minatorëve ta lënë punën. Neve na kanë dhënë premtime e na kanë rrejt boll, por nuk e di pse premtojnë kur nuk kanë mundësi”, ka thënë Gani Osmani – minator.

Lidhur me çështjen nuk i është përgjigjur Dukagjinit kryeshefi Faton Ahmeti, as përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve.

Marrë parasysh kushtet ekonomike, njohës të kësaj fushe thonë se menaxhmenti po luan me ndjenjat e minatorëve.

Lexo po ashtu Minatorët ende në pritje, Bordi i "Trepçës": Jemi në komunikim me Qeverinë për ekzekutimin e pagave të muajit qershor

“Është koha kur të jenë më korrekt me minatorët, sfidat janë të shumta. Nuk jetohet nga premtimi duhet të ketë konkretizim të minatorëve me qëllim që të iu kthehet motivimi minatorëve. Mungesa e tre muajve pagë tregon rënie të inflacionit dhe me ndejt tre muaj pa paga, tregon se shumica e minatorëve janë të mbytur në borxhe dhe pjesa dërrmuese e të hyrave do jetë kthim i borxheve”, ka thënë Safet Gërxhaliu – ekspert i çështjeve ekonomike.

Deri në ekzekutimin e pagave, minatorët e “Stan Tërgut” janë në grevַë dhe me qëllim të mirëmbajtjes së minierave, aty po punojnë vetëm elektricistët dhe pompistët. /Dukagjini/

Exit mobile version