Telegrafi

Militantë sulmojnë selinë e policisë në kryeqytetin e Pakistanit, të paktën dy vrarë

Dy persona u vranë pasi militantët sulmuan selinë e policisë në Karaçi, sipas zyrtarëve të ambulancës në kryeqytetin e Pakistanit.

Një oficer policie dhe një rojë vdiqën në sulm, ndërsa katër roje policie u plagosën gjithashtu, tha Shërbimi i Ambulancës Edhi, transmeton Telegrafi.

Deri në 10 militantë sulmuan stacionin e policisë me granata dore dhe pati edhe të shkrepura armësh, tha një dëshmitar okular për CNN. Ministri i Punës i provincës Sindh, Saeed Ghani, konfirmoi sulmin për CNN, duke shtuar se incidenti ishte në vazhdim.

Talebanët e Pakistanit, të njohur si “Tehreek e Taliban Pakistan” (TTP) kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, sipas zëdhënësit Mohammad Khorasani.

Siç raporton CNN, talebanët e Pakistanit janë cilësuar si një organizatë e huaj terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit që nga shtatori i vitit 2010.

Autoritetet pakistaneze ende nuk kanë konfirmuar përfshirjen e ndonjë grupi.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur në vendin e sulmit, sipas videos së publikuar nga Shërbimi i Ambulancës Chhipa, në të cilën mund të dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri. /Telegrafi/