Ajo që nuk thotë ende askush është se në xhepat e kujt përfunduan këto para.
Ditët e fundit kemi dëgjuar se miliarda dollarë në aksione, u zhdukën. Të njëjtin fat pësuan edhe miliarda të tjera në formën fondeve të pensioneve, kursimesh për studime, fonde pagash. Por ajo që nuk thotë ende askush është se ku kanë përfunduar këto para. Pyetjes rreket t‘i japë përgjigje eksperti i ekonomisë së agjencisë "Associated Press", Erik Karvin.
Me të drejtë ai vëren që, nëse askush nuk i ka më nëpër llogari ato para, ku gjenden? Te xhepat e ndonjë spekulatori të Wall Street? Të ndonjë sheiku në Arabinë Saudite? Në arkat e qeverisë kineze? Apo thjesht janë zhdukur. "Në rast se po kërkon gjurmët e parave të munguara", vëren eksperti, "ndoshta me mendjen për t‘i shtënë përsëri në dorë, do zhgënjehesh kur të mësosh që së pari ato para as që ekzistonin".
Këtë koncept përpiqet ta shpjegojë më qartë Robert Shiller, ekonomist në Universitetin "Yale": Nocioni që ti humbet para sa herë bie tregu i bursës është ide e gabuar. Shpjegon se çmimi i aksioneve në bursë nuk ka qenë kurrë e njëjta me paratë e thata – është thjesht hamendësimi më i saktë për vlerën që mund të kenë ato aksione. "Është veç në mendjet e njerëzve", shpjegon Shiller. Për ta bërë më të qartë, përdor shembullin e një agjenti pasurish të paluajtshme që e vlerëson 350 mijë dollarë një shtëpi vetëm një javë pasi thoshte se ajo vlente jo më pak se 400 mijë dollarë. "Kur thotë këtë, 50 mijë dollarë thjesht u zhdukën", shpjegon Shiller. "Por gjithçka ndodh vetëm në mendjen e tij".
Megjithëse duhet pranuar që diçka humbet në çastin që aksionet zhduken dhe vlerat e pasurive të paluajtshme bien kokëposhtë. Edhe pse një aksion në bursë nuk është si kartëmonedhat që ke në portofol, edhe pse vlera e shtëpisë është diçka që nuk varet vetëm nga ti, sigurisht, do të humbasësh ato para që mund t‘i kishe pasur – që do të thotë se janë para që mund të kishin qenë të tuat në rast do ta kishe shitur shtëpinë, apo do kishe tërhequr aksionet para shpërthimit të krizës.
Problemi i vërtetë, sqaron eksperti i "Associated Press", shfaqet kur ato para i imagjinojmë si të njëjta me kartëmonedhat që kemi në xhep apo në llogarinë bankare. "Ky është gabim kokë e këmbë", nënvizon Deil Jorgenson, profesor ekonomie në Harvard. Dhe tamam këtu është ndryshimi i vërtetë: ndërsa paratë që ke në xhep zor të treten vetë në ajër, paratë që mund të kishin qenë të tuat (ato që do rezultonin të tuat po ta kishe shitur me kohë shtëpinë apo aksionet) mund të treten që çke me të.
Por a do të thotë kjo se ato para i ka futur në xhep dikush tjetër? Mos ndoshta bota ka një sasi të caktuar pasurie, e cila kalon në ca xhepa te të tjerët, në varësi të baticave e zbaticave ekonomike? Profesor Jorgenseni thotë jo – sasia e pasurisë botërore "thjesht mpaket në çaste të tilla". Bën shumë kujdes në hamendësimin se humbjet e investimeve të një pale mund të kenë përfunduar në xhepin e një pale tjetër. "Në përgjithësi zotërinjtë e bursave po humbitnin edhe këmishët e trupit me ritme të frikshme", sqaron. "Vunë baste, duke i hyrë një rreziku të madh dhe tani po vuajnë pasojat". "Ama e shijuan jetën për aq kohë sa zgjati e gjitha kjo", thotë për ta mbyllur.