Njëri nga serbët e Kosovës, i cili gjendet në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, Milan Radoiçiq u pa afër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi që u mbajt sot në Beograd.
Takimi me serbët e Kosovës, pasoi pas takimit që Vuçiq e mbajti me Këshillin e Sigurisë, të cilin e mblodhi për shkak të moslejimit të zgjedhjeve serbe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Vuçiq kishte kërcënuar duke thënë se, “do të pasojë përgjigje serioze nga njerëz seriozë, dhe do të ketë pasoja të mëdha”.
Është raportuar se FlightRadar24 kishte regjistruar aeroplanin “YU-BTC” nga Beogradi, i cili për më shumë se dy orë kishte fluturuar mbi qiellin e Kosovës.
Kujtojmë se SHBA-ja në fund të vitit të kaluar kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.
Përveç tij janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.
Departamenti amerikan i Thesarit thotë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve. /Telegrafi/