Site icon Telegrafi

Mijëra njerëz protestojnë në Mianmar, një javë pas grusht-shtetit nga ushtria

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e qytetit kryesor të Mianmar, Yangon, për ditën e dytë të protestave masive, gati një javë pas grusht-shtetit nga ushtria vendase.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, burra dhe gra, shumë prej tyre të rinj, mbanin fotografi të udhëheqëses së arrestuar Aung San Suu Kyi.

“Respektojeni votën tonë”, thuhej në një banderolë.

Lexo po ashtu Ushtria në Mianmar bllokon qasjen në internet, qindra persona protestojnë për grusht-shtetin

“Ne do të ecim përpara dhe do të vazhdojmë derisa të marrim demokracinë”, i tha agjencisë së lajmeve AFP, protestuesi Myo Win.

Kamionë dhe oficerë policie të përgatitur për trazirat ishin vendosur në rrugët pranë Universitetit Yangon.

Demonstrata më të vogla u raportuan gjithashtu të dielën në mëngjes në Mawlamine dhe Mandalay.

Udhëheqësja e zgjedhur Aung San Suu Kyi mbetet në arrest shtëpiak, ashtu sikurse edhe presidenti Win Myint.

Gjatë ditës së djeshme u raportuar se ushtria që kapi pushtetin bllokoi qasjen e njerëzve në internet.

Këtë veprim, grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International e quajti “të pamatur”, dhe paralajmëroi se mund t’i vendoste banorët e Mianmarit në rrezik për shkeljen e të drejtave të njeriut. /Telegrafi/

Exit mobile version