Telegrafi

Mijëra bileta falas, 30 aeroplanë me tifozë të nisur – Katari do të ‘pushtohet’ nga tifozët e Marokut në ndeshjen kundër Francës

(Foto: Reuters)

Federata Marokene e Futbollit ka njoftuar se do t’i dhurojë 13.000 bileta falas për tifozët në ndeshjen gjysmëfinale të Kampionatit Botëror kundër Francës.

Maroku ka qenë befasia më e madhe në ‘Katar 2022’, duke u bërë skuadra e parë afrikanë dhe vendi i parë arab që arrin në gjysmëfinale të një Kampionati Botëror.

Ndërsa në këtë rrugëtim, ata i eliminuan disa nga favoritët për ta fituar turneun, si Spanja (në 1/8 e finales) dhe Portugalia (në çerekfinale).

(Foto: Daily Mail)

Federata Marokene u ka dhuruar bileta falas tifozëve për disa ndeshje në Katar, duke siguruar mbështetje të madhe për skuadrën në stadiume.

Sipas BBC, kësaj radhe, Federata do të shpërndajë 13.000 bileta falas për gjysmëfinalen e nesërme (e mërkurë) për tifozët marokenë në Doha, ndërsa këtë pritet ta bëjë përmes Ambasadës së Marokut në Katar.

(Foto: AFP/Getty)

Po ashtu, tifozët marokenë kanë udhëtuar me 30 fluturime promovuese të drejtuara nga ‘Royal Air Maroc’. Transportuesi shtetëror kishte vendosur shtatë fluturime shtesë për të lejuar tifozët të merrnin pjesë në çerekfinalen me Portugalinë javën e kaluar, ndërsa kësaj radhe numri është shumë më i madh.

“Për të lejuar shumë marokenë që duan ta mbështesin ekipin kombëtar në kulmin e saj dhe të përjetojnë emocionet e gjysmëfinales së Kampionatit Botëror, Royal Air Maroc ka vendosur një urë ajrore midis Casablanca dhe Doha”, thuhet në deklaratën e linjës ajrore.

(Foto: AP)

Mijëra tifozë marokenë janë fotografuar në radhë në stadiumin Al Janoub sot (e martë), ku nga mëngjesi janë shitur biletat për ndeshjen gjysmëfinale.

Rreth 20.000 tifozë marokenë pritet të jenë të pranishëm në stadium për ta përcjellë sfidën kundër Francës, e cila do të zhvillohet në stadiumin Al Bayt që ka kapacitet prej 68.895 ulësesh. /Telegrafi/