Eugene Kaspersky, bashkëthemelues i kompanisë së antivirusit Kaspersky Lab, akuzoi Microsoft se në sistemin e tij operativ Windows 10 ka larguar prodhimin e tij, transmeton KosovaPress.
Kompania njëherësh ka ngritur dy padi anti-trust kundër kompanisë më të madhe teknologjike në botë.
Kaspersky pohon se në përditësimin e fundit të sistemit operativ Microsoft njëanshëm ka larguar prodhimin e tij, të cilin e ka përdorur dhe një gjë të tillë e konsideron të papranueshme.
“Me këtë po i humbim përdoruesit dhe kjo është e papranueshme, BE dhe Rusia nuk duhet të lejojnë një praktikë të tillë, pasi ajo është e dëmshme”, thonë nga kjo kompani.
Microsoft në Windows 10 përparësi i jep Windows Defenderit dhe e ka bërë të pamundur largimin e tij. Dikur kjo bëhej thjesht me një klik duke e vendosur në pozitën OFF, por tash nuk ekziston ky opsion dhe ai konsiderohet si mbrojtësi i kompjuterit.
Problemi është se Defender nuk mund të matet me Kaspersky ose antiviruset tjera, andaj përdoruesit me të drejtë mund të jenë të pakënaqur me vendimin e Microsoft.
“Kemi tentuar të mbajmë takim me përfaqësuesit e Kaspersky Lab, por deri te kjo ende nuk ka ardhur. Për ne është e interesit që kompanitë që merren me siguri gjithmonë të jenë të pranishme për shfrytëzuesit dhe atyre asnjëherë nuk ua kemi pamundësuar atë për të cilën janë të dedikuara. Andaj, gjithmonë me kohë paralajmërojmë ndryshimet dhe mbajmë prodhuesit të gatshëm për këto ndryshime”, thuhet në komentin e Microsoft-it lidhur me rastin Kaspersky.