Michael Oliver momentalisht e ka të ndaluar që të ndajë drejtësinë në ndeshjet e një klubi anglez mes polemikave që u shkaktuan pas paraqitjes së tij në derbin mes Evertonit dhe Liverpoolit.
Oliver u kritikua ashpër nga tifozët e Liverpoolit për një sërë vendimesh që mori në atë ndeshje, pasi një pjesë prej tyre argumentuan që Oliver duhet të kishte akorduar faull tek Mohamed Salah para se të shënonte James Tarkowski golin e barazimit.
Pati gjithashtu ankesa edhe tek gjuajtja e lirë që iu dha Evertonit tek goli i parë, ndërsa disa tifozë të Evertonit besuan se ata duhet të kishin marrë një penallti pas një prekje të topit me dorë nga Ibrahima Konate.
Oliver më pas i përjashtoi me karton të kuq Abdoulaye Doucoure dhe Curtis Jones pas përfundimit të ndeshjes, teksa të njëjtin fat e pati edhe trajneri Arne Slot dhe asistenti i tij Sipke Hulshoff.
Është e paqartë për momentin se kur Oliver do të caktohet si gjyqtar në ndonjë ndeshje që përfshin Liverpoolin.
Sidoqoftë, ka një skuadër në Angli në të cilën ai e ka të ndaluar të jetë pjesëmarrës qoftë si gjyqtar kryesor apo i katërt.
Oliver është tifoz i Newcastle United dhe nuk mund të ndajë drejtësinë në ndeshjet ku janë të përfshirë ‘Laraskat’.
Ai gjithashtu kishte luajtur si i ri në grupmoshat e Newcastle siç kishte zbuluar më parë në një intervistë, por nuk i kishte pëlqyer të punonte mjaftueshëm për t’u bërë profesionist.
Si rezultat i mbështetjes së tij për Newcastle, Oliver gjithashtu nuk mund të ndajë drejtësinë as në ndeshjet e Sunderlandit./Telegrafi/