Site icon Telegrafi

Mësuesi që erdhi nga Shqipëria për misionin fisnik në Kosovë

Dita e mësuesit është një ditë që simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë për dijen, por edhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Kështu u tha gjatë vizitës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në shkollën “Mehmet Gjevori”, për të nderuar dhe kujtuar figurën pedagogut që erdhi në Kosovë në vitet ’40.

Ai kontribuoi për arsimimin e shumë gjeneratave, dhe duke ia kushtuar gjithë jetën arsimit në Kosovë.

I pari kryeqytetit e vlerësoi lartë figurën e Mehmet Gjevori, duke thënë se erdhi në Kosovë në kohët me të vështira. Ai tha se Gjevori ka qenë mësues i mësuesve. Rama potencoi se ka qenë shkrimtari që i japi abetaren e parë shqiptarëve në Kosovë.

“Ka ardh në Kosovë në kohët më të vështira, kur arsimi shqip ishte pothuajse i pa qenë, po ashtu ishte sfidë e madhe në tërë territorin e Kosovës. Nuk ka ardhur veç të jap mësim, ka ardhur me ndezë një dritë e cila kurrë nuk do të shuhet, dhe po ashtu ekziston edhe sot këtu në mesin tuaj. Ai ishte mësuesi që i mësoj mësuesit, pra Mehmet Gjevori ka qenë mësues i mësuesve, jo vetëm i nxënësve, ka qenë edukator që i ka mësuar breza pas brezave, dhe shkrimtar që i dha arsimit shqiptarë abetaren e parë këtu në Kosovë”, tha ai, raporton KosovaPress.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, lartësoi lart figurën e Mehmet Gjevorit pikërisht në shkollën që mban emrin e tij. Ai tha se Gjivori iu përgjigj thirrjes së ministrit të arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqit në vitet 1941,1942 për të ardhur në Kosovë.

Malaj theksoi se Gjivori erdhi në Kosovë për një qëllim madhor që të hapte shkolla shqipe dhe të edukonte një brez i cili kishte nevojë shumë për arsim.

“7 marsi në fakt nuk është një datë në kalendar, një ditë e thjeshtë, është një ditë që simbolizon sakrificën përkushtimin, dashurinë për dijen, për ndriçimin e vendit për ruajtjen e identitetit kombëtar. Një mision që Mehmet Gjivori mishëroi me jetën dhe veprën. Djaloshi nga Elbasani, Gjivori iu përgjigj thirrjes së ministrit të arsimit të asaj, Ernest Koliqit në vitet do të them si në Kosovë 1941/1942. Erdhi në Kosovë për një qëllim madhor të hapte shkolla shqipe, të edukonte dhe të pajiste me dije një brez që kishte nevojë për arsimim. Një popull që në përqindje ishte analfabet. Mehmet Gjinori dhe mësuesit e tjerë që erdhën nga Shqipëria së bashku me arsimtarët në Kosovë, iu bashkuan këtij misioni fisnik dhe të shenjtë për pishtarët e diturisë”, tha ai.

Kjo datë kujton kontributin e figurave të shquara si Mehmet Gjevori, i cili iu përkushtua arsimit shqip në Kosovë edhe në kohët më të vështira. Misioni i tij dhe i shumë mësuesve të tjerë që erdhën nga Shqipëria gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, patën një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Exit mobile version