Rekordi aktual mbahet nga legjenda madrilene, Raul, i cili ka shënuar 71 gola me Real Madridin dhe Schalken në garën e madhe të futbollit evropian.
Në ndërkohë, Ronaldo ka shënuar 69 gola, kurse Messi 68 deri më tani. Dhe gara vazhdon. Cili do ta shkruajë historinë?
Qëkur kaloi në Santiago Bernabeu (nga Manchester Unitedi në vitin 2009), CR7 ka shënuar 54 gola në 53 paraqitje me Realin në Ligën e Kampionëve, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë pesëvjeçare, Messi ka shënuar 51 gola në 55 ndeshje.
Para se të arrinte portugezi në Spanjë, Messi ka shënuar 17 gola në 33 ndeshje evropiane me Blaugranët, derisa Ronaldo në 52 takime me Unitedin ka regjistruar 15 gola (duke përjashtuar fazën kualifikuese).
29-vjeçari ishte superyll edhe në kohën kur nënshkroi me Los Blancos, mirëpo numrat filluan të rriteshin derisa bartte fanellën e klubit mbretëror.
Në tri sezonet e para me Realin, Ronaldo shënoi 33, 53 dhe 60 gola me klubin në të gjitha garat, derisa shifrat për Messin në të njëjtën periudhë janë 47, 53 dhe 73.
Në sezonin e kaluar, përkundër lëndimeve, 27-vjeçari shënoi 41 gola në 46 ndeshje, derisa Cristiano regjistroi 51 gola në 47 përballje dhe ky sukses pasoi me fitimin e Topit të Artë (duke e zvogëluar diferencën me trofeun prestigjioz në 4-2 në favor të argjentinasit).
Ronaldo theu rekordin e Messit (nga edicioni 2011/2012) në sezonin e kaluar si golashënuesi më i mirë në një edicion të kësaj gare, me 17 gola.
Është e sigurt se këta dy futbollistë do ta thyejnë rekordin e Raul, madje që në këtë sezon. Çështja është se cili do të mbetet në histori?
Lionel Messi është 27 vjeç, kurse Cristiano Ronaldo 29 vjeç. Mosha e favorizon yllin e Barcelonës, por makineria golashënuese e yllit të Real Madridit lë vend për secilin opsion. /Telegrafi/
Në hapësirën për komente mund të jepni mendimin tuaj se cili do të mbetet golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve, nga këta dy gjigantë të futbollit modern – Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi.