Është dashur 21 vjet pritje për t’u kualifikuar sërish në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Kaq kohë iu desh Legias së Varshavës për të qenë mes 32 më të mirave të Evropës.
Por, për ta arritur këtë objektiv skuadra polake kishte nevojë për një trajner shqiptar në stol. Meritat e jashtëzakonshme për këtë sukses të madh që mbi gjitha mbush arkat e klubit, shkojnë të gjitha për Besnik Hasin, transmeton SS.
44-vjeçari nga Gjakova, gjatë kësaj vere pas largimit nga stoli i Anderlechtit skuadër me të cilën fitoi edhe një titull kampion në Belgjikë, firmosi një kontratë dyvjeçare me kampionët e Polonisë.
Mirëpo, edhe pse nuk e nisi shumë mirë aventurën e tij në kampionat me Legian që në javët e para ka regjistruar disa rezultate jo të mira, Hasi u përqendrua te kualifikueset për garën më të madhe evropiane duke realizuar atë që se kishte bërë asnjë në këto 21 vite, të kualifikonte formacionin nga Varshava në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
Një arritje e jashtëzakonshme kjo për Legian e Varshavës dhe Besnik Hasin. Tashmë skuadra që drejtohet nga trajneri shqiptar do të masë forcat me klubet më të mëdha të Evropës në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.