Dy grupe dhe 32 skuadra në PGL MAJOR EUROPE RMR, tashmë e dinë se me cilat ekipe do të mund të përballen gjatë kualifikueseve për majorin e madh të CS:GO, PGL MAJOR ANTWERP 2022.
Kanë përfunduar katër fazat kualifikuese për në PGL EUROPE RMR, ku 16 skuadra kanë fituar vendin e tyre për në kualifikuese të PGL MAJOR ANTWERP që pritet të fillojë me 9 maj, ndërsa 16 të tjera kanë marrë ftesë direkt.
Pjesë e këtij turneu është edhe ekipi shqiptar, Bad News Eagles, të cilët javën e kaluar arritën të shkruajnë historinë, duke e mposhtur ekipin serb, 4GLORY, në ndeshjen vendimtare, e tani do ta kenë rastin të përballen me ekipet si G2, Gambit etj.
Dy evente do të mbahen LAN në Bukuresht të Rumanisë, duke i ndarë Grupin A dhe B, ku do të luajnë në datat 17-20 dhe 21-24 prill.
Turneu do të luhet në formatin “swiss-system”, ku nga të dy grupet do të kalojnë nga tetë ekipe, në bazë të statistikave ekipet do të emërohen në tri statuse “Legends”, “Challengers” dhe “Contenders”.
Ekipet që arrijnë të fitojnë tri ndeshje kalojnë për në fazën tjetër në PGL ANTWERP MAJOR, ndërsa ekipet të cilat humbin tri ndeshje, eliminohen nga turneu dhe humbin mundësinë për major.
Më poshtë e gjeni listën e plotë të ekipeve, të dy grupeve A dhe B që do të fillojnë nga 17 prilli. /Telegrafi/