Thomas Tuchel është favorit për të zëvendësuar Erik ten Hagun në Manchester United këtë verë, megjithëse trajneri i Anglisë, Gareth Southgate është gjithashtu në listë.
Ten Hag pritet të lirohet nga “Old Trafford” në fund të sezonit dhe Man United është duke kërkuar zëvendësues të mundshëm.
Tuchel është shfaqur si një nga kandidatët e favorizuar dhe vetë ka thënë se është i etur për t’u rikthyer në Ligën Premier pasi të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit.
Ndërsa Tuchel favorizohet nga bashkëpronarët e INEOS, ata gjithashtu kanë Southgate, Zinedine Zidane dhe përzgjedhësin e Gjermanisë, Julian Nagelsmann në listën e tyre të ngushtë.
Megjithatë, tre nga ta kanë shprehur shqetësime serioze për marrjen e detyrës duke pasur parasysh problemet që kanë kapluar klubin gjatë dekadës së fundit.
Pavarësisht arritjes në finalen e FA Cup këtë sezon, Man United ka kaluar një kohë të mjerueshme gjatë vitit të dytë të Ten Hag në krye.
Humbja e tyre 4-0 ndaj Crystal Palace të hënën ishte e 13-ta e tyre në Ligën Premier këtë sezon – më së shumti që kanë pësuar në një sezon të vetëm.
Skuadra e Ten Hag mund të luajë një rol të rëndësishëm në garën për titull në Ligën Premier këtë fundjavë, pasi ata do të përballen me pretendentët e Arsenalit në “Old Trafford” të dielën. Ata më pas presin Newcastle në kampionat tre ditë më vonë. /Telegrafi/