Dieta e veçantë e Jamie Vardy. Deri para disa vitesh sulmuesi i Leicester City nuk ishte në listën e emrave të rëndësishëm në botën e futbollit, duke shtuar këtu edhe faktin që Vardy kishte një karakter të vështirë.
Por, sukseset që ai arriti me fanellën e “Dhelprave” këtë sezon të Ligës Premier, bëri që e kaluara e tij të arkivohet dhe Vardy të shndërrohet në një nga sulmuesit më të kërkuar.
Por cili është çelësi i suksesit të numrit nëntë? 29-vjeçari prej kohësh ka një dietë të tijën që e ka bërë atë të shkëlqejë në fushën e blertë. Pije energjike, çamçakëz me përbërje nikotine dhe asnjë orë e kaluar në palestër.
E çuditshme, por e vërtetë. Madje, vetë sulmuesi e ka konfirmuar një gjë të tillë. Sipas mjekëve dieta e Vardy-it është e lejueshme, pasi nuk shkel rregullat e anti-dopingut, por me një kusht që kafeina që përmban pija energjike dhe nikotina e çamçakëzëve duhen mbajtur nën kontroll, duke mos e tejkaluar normën, pasi janë dy substanca të ndaluara që nga viti 2012 në listën e WADA, agjencisë ndërkombëtare të anti-dopingut.
Ndërkohë që mediat flasin për dietën e tij, Jamie Vardy vazhdon të bëjë atë që di më mirë, ta dërgojë topin në rrjetë dhe një gjë të tillë ai e bëri dhe në takimin kundër Uellsit në Euro 2016.
Sjellja e tij jashtë fushës së blertë nuk është nga më të mirat, por brenda saj Jamie Vardy është një sulmues i vërtetë. Dikur një punëtor i thjeshtë, sot sulmuesi i ‘Tre Luanëve’, 29-vjeçari është shndërruar në yllin e futbollit evropian, një ëndërr e bërë realitet.