Telegrafi

Mesjava sjell xhiron e 22-të në Superligën e Maqedonisë, dy ekipe shqiptare përballen ndërmjet veti

Xhiroja e 22-të Superligën e Maqedonisë së Veriut sjell gjashtë ndeshje në këtë mesjavë.

Kjo xhiro do të përplas ndërmjetveti dy ekipet shqiptare me Voska Sport që pret në shtëpi skuadrën e Gostivarit. Të dyjat ekipet vijnë në këtë duel pas triumfeve të shënuara në fundjavë ndaj kundërshtarëve respektiv, me ekipin nga Ohri që triumfoi në transfertën ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Gostivari që mposhti Brerën e Strumicës.

Pritshmëritë për këtë duel i ka shprehur futbollisti i Voskësc Xhemil Jahiji, i cili ka folur për faqen e klubit.

“Pas ndeshjes me Makedonija Gjorçe Petrov, kemi atmosferë relativisht të mirë dhe pozitive. Kjo ndikon shumë në aspektin psikologjik futemi më lehtë dhe pa shumë presion në ndeshjen e nesërme ndaj Gostivarit. Shpresoj që të marrim maksimumin e pikëve, pasi si çdo fitore edhe kjo e ditës së nesërme na nevojitet shumë për në vijim të kampionatit. Kemi respekt për skuadrën e Gostivarit, por ne jemi përgatitur dhe do të japim më të mirën tonë të mundshme për të fituar ndeshjen”, ka thënë Xhemil Jahiji nga Voska Sport.

Ndërkohë, kampionët në fuqi, Struga Trim Lum rikthehen të luajnë në shtëpi, aty ku do të presin Makedonija Gjorçe Petrovin, me këta të fundit që udhëtojnë drejt Strugës me trajner të ri, ku Boban Gërçarov mori pozitën e Toni Xhangarovskit që u largua pas humbjes nga Voska.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne si skuadër, e ku patjetër duhet që të marrim e pikët e plota. Edhe pse Makedonija Gj.P gjendet në pozitën e fundit, nuk duhet nënvlerësuar këtë kundërshtarë, por duhet ti futemi ndeshjes me shumë seriozitet dhe besim që të vazhdojmë drejt rrugës për titullin kampion”, ka thënë Ard Kasami nga radhët e Strugës.

Liderët aktual, Shkupi do të luaj në Shtip ndaj Bregallnicës. Bardhekaltërit nga Çairi do të kërkojnë të përmirësojnë gabimin me Tikveshin, për të vazhduar rrugën në luftën për titullin e kampionit.

“E kemi thënë që në fillim se ky do të jetë një kampionat shumë i vështirë, pasi të gjitha ekipet po luftojnë për pikë, si për kreun e renditjes edhe ata për të mbijetuar. Përballja kundër Bregallnicës do të jetë një ndeshje e mirë, duke marrë parasysh se të gjithë në skuadër e dimë se sa i rëndësishëm do të jetë rezultati përfundimtar. Andaj imperativ për ne është vetëm fitorja që të ruajmë pozitën e parë në renditje”, ka thënë Albert Diene nga radhët e Shkupit.

Në anën tjetër, Shkëndija e Tetovës në këtë xhiro do të përballet me Brerën në Strumicë. Para këtij dueli nga tabori i skuadrës kuqezi ka folur Endrit Krasniqi.

“Po mendoj se pas asaj ndeshje, pas asaj atmosfere kemi një ndenjë shumë të mirë. Shpresojmë që të vazhdojmë me këto rezultate. Besoj te ekipi, shkojmë atje për tre pikët. Shpresoj që fund t’ia arrijmë qëllimit dhe të vazhdojmë tutje”, ka thënë Endrit Krasniqi.

Në dy ndeshjet tjera, Vardari takohet me Rabotniçkin dhe Tikveshi me Sileksin.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 22-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut zhvillohen nesër, duke nisur nga 14:00. /Telegrafi/