Dy aeroplanë luftarakë F-16 Fighting Falcons të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara do të kryejnë stërvitje dypalëshe ajër-tokë me kontrollorët e përbashkët nga Forcat Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (SOF) dhe Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas një njoftimi të Ambasadës amerikane në Sarajevë, stërvitjet do të kryhen në Tuzla dhe rajonin e Brçkos pasditen e 8 janarit, përcjell Telegrafi.
“Ky trajnim dypalësh është një shembull i bashkëpunimit të avancuar ushtarak që kontribuon në paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, si dhe demonstron përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të garantuar integritetin territorial të BeH përballë aktivitetit anti-Dajton dhe secesionist”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Për më tepër, thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë nënvizuar se Kushtetuta e BeH nuk parashikon të drejtën e shkëputjes dhe do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element bazë të Dejtonit.
“Forcat Ajrore të SHBA-së në Evropë-Forcat Ajrore Afrikë angazhohen në mënyrë rutinore ushtarakisht me partnerët rajonalë për të ofruar mundësi trajnimi, për të rritur ndërveprueshmërinë dhe për të demonstruar angazhimin tonë të përbashkët ndaj objektivave të përbashkëta të sigurisë. Bosnja dhe Hercegovina është një partner kyç i SHBA-së me një objektiv të përbashkët në stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në njoftim.
Deklarata shton se misioni gjithashtu do të mbështetet nga një KC-135 Stratotanker që do të sigurojë furnizimin me karburant ajror për F-16 mbi entitetin Republika Srpska të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Siç bëhet e ditur më tej, aeroplanët amerikanë do të kthehen në bazë menjëherë pas përfundimit të misionit.
“Aftësia për t’u vendosur me shpejtësi, për të arritur një objektiv dhe për t’u kthyer në shtëpi demonstron aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të projektuar fuqi kudo në një moment dhe të veprojë së bashku me aleatët dhe partnerët”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Ambasadës amerikane në Sarajevë.
Kujtojmë se stërvitja vjen në kohën e deklaratave të përsëritura nga presidenti i Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik – se do ta shpallë shkëputjen e entitetit.
Ajo vjen gjithashtu në kohën kur në Republika Srpska po mbahen një sërë ngjarjesh me rastin e 9 janarit, të ashtuquajturës Dita e RS-së, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës. /Telegrafi/