Site icon Telegrafi

Mes polemikave, Edi Martini nis zyrtarisht rrugëtimin te Trepça – objektivat mbesin të njëjta, kthimi në Superligën e Kosovës  

Trajneri Edi Martini ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me ekipin e KF Trepça, duke nisur zyrtarisht punën e tij në krye të skuadrës.  

Ky hap shënon fillimin e një epoke të re për klubin mitrovicas, i cili po përgatitet me seriozitet maksimal për sfidat e ardhshme në Ligën e Parë. 

Në krah të Martinit në stërvitjen e parë ishin dy drejtorët e klubit, apo dy legjendat e futbollit mitrovicas, Ajet Shosholli dhe Rafet Prekazi.  

Sipas faqes së klubit, objektivat janë të qarta: të punohet fort dhe të jepet maksimumi në çdo ndeshje.  

Martini, me eksperiencën e tij të gjatë në futboll, synon të përmirësojë performancën e ekipit dhe të ngjitet në pozitat më të larta të tabelës. 

Trepça ka liruar nga detyra trajnerin e mëparshëm, Emin Baliqi, i cili ofroi dorëheqjen e tij.  

Aktualisht, Trepça zë vendin e tretë në Ligën e Parë, Grupi A, me 26 pikë, tetë më pak se lideri Drenica.  

Me Martinin në krye, klubi shpreson të mbyllë hendekun me ekipet kryesore dhe të luftojë për një vend në play-off ose edhe të futet direkt në elitë.  

Megjithatë, ardhja e Martinit nuk ka qenë pa zhurmë, pasi trajneri shkodran kishte bërë deklarata javën e kaluar, kur ai lavdëroi Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për bashkëorganizimin me Serbinë të Kampionatit Evropian për U21 në vitin 2027. Kjo deklaratë shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e tifozëve, të cilët e shohin këtë si një gjest jo të përshtatshëm për një trajner, por duket se këto janë tejkaluar dhe Martini ka filluar punën në Mitrovicë.  

Martini ka drejtuar klube si Teuta, Luftëtari, Vllaznia dhe Laçi, ndërsa si futbollist ka pasur karrierë të pasur, ku për një vit luajti edhe në Kosovë te Flamurtari i Prishtinës. /Telegrafi/  

Exit mobile version