Telegrafi

Mes frikës nga Kina, Tajvani do të lejojë gratë në trajnimin e forcave rezervë ushtarake

Ushtria e Tajvanit publikoi të martën planet për të lejuar gratë të bëhen vullnetare për trajnimin e forcave rezervë për herë të parë, ndërsa Kina vazhdon të rrisë presionin ushtarak në ishullin e vetëqeverisur demokratik.

Në këtë drejtim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se do të lejojë një numër të caktuar femrash të regjistrohen në trajnim duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti.

Gjeneral Major Yu Wen-cheng, nga Agjencia e Mobilizimit Mbrojtës Gjithëpërfshirëse e Ministrisë, tha se masa do të ishte në një bazë prove për këtë vit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë më parë se ka trajnuar vetëm rezervistë meshkuj, sepse nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të dy gjinitë.

Dhe ligjvënësit tajvanezë kishin thënë se përjashtimi i grave nga trajnimi rezervë përbën diskriminim gjinor.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, Tajvani njoftoi se do të zgjasë periudhën e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat e kualifikuar nga katër muaj në një vit duke filluar nga viti 2024, dhe kërkesa do të zbatohet për burrat e lindur pas vitit 2005.

Tajvani ka një forcë ushtarake prej rreth 170,000 personash, të përbërë kryesisht nga vullnetarë, ndërsa gjithashtu trajnon rreth 120,000 rezervistë çdo vit, sipas CIA World Factbook.

Meshkujt nga mosha 18 deri në 36 vjeç ose duhet të dalin vullnetarë për të shërbyer në ushtri ose të kryejnë një periudhë shërbimi të detyrueshëm në rezervë.

Që nga viti 2021, gratë përbënin 15% të ushtrisë së Tajvanit, por shërbejnë kryesisht në role jo luftarake, thotë CIA Factbook. /Telegrafi/