Gjyqtarët kosovarë vazhdojnë me sukses të dëshmohen edhe në arenën ndërkombëtare.
Së fundmi, Mervan Bejtullahu dhe Fatmir Sekiraqa kanë qenë të deleguar nga UEFA në turneun kualifikues për Evropianin 2023 për kombëtaret U17 që u mbajt në Portugali, prej 21 deri më 29 mars.
Mervan Bejtullahu, i cili sivjet është pajisur me stemën e FIFA-s, i ka drejtuar me sukses dy ndeshje të këtij grupi, Portugali-Sllovaki dhe Sllovaki-Poloni, derisa ka qenë gjyqtar i katër në ndeshjen Portugali-Poloni.
Për Bejtullahun kjo ishte hera e parë që ndau drejtësinë në garat e UEFA-s dhe këto ndeshje i kanë shërbyer për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të dëshmuar nivelin e tij para zyrtarëve të UEFA-s.
Dyshja e gjyqtarëve kosovarë është vlerësuar pozitivisht për ndarjen e drejtësisë në këto ndeshje. /Telegrafi/