Site icon Telegrafi

“Mendova se do të vdisja” – rrëfimi i burrit indian që mbeti i ngecur në ashensor për 42 orë

Një burrë nga shteti jugor indian i Kerala, i cili u bllokua në një ashensor spitalor për 42 orë pa ushqim dhe ujë, i ka thënë BBC-së se kishte frikë se do të vdiste.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ravindran Nair, 59 vjeç, hyri në ashensor për t’u takuar me një mjek të shtunën pasdite – por më pas mbeti i ngecur brenda deri të hënën në mëngjes, kur një operator ashensor e gjeti aty.

Tani ndodhet në spital dhe po trajtohet për dehidrim dhe dhimbje shpine.

Anëtarët e familjes së tij fillimisht menduan se ai ishte në punë, por më vonë kontaktuan policinë dhe filluan një kërkim për të.

Incidenti ka bërë bujë, duke bërë që qeveria e shtetit të pezullojë tre teknikë dhe të nisë një hetim.

Zyrtarët nga Kolegji Mjekësor Qeveritar dhe ministri i Shëndetësisë i shtetit i kanë kërkuar falje zotit Nair.

Nair i tha BBC-së se kur u bllokua, ai u përpoq të telefononte numrin e urgjencës të listuar në ashensor, por nuk pati asnjë përgjigje.

Ai gjithashtu u përpoq të telefononte gruan e tij, e cila punon në spital, dhe “këdo tjetër që mund të mendoja”, por telefonatat nuk lidheshin.

“Filloi të më kapte paniku dhe fillova të godas dyert e ashensorit për të tërhequr vëmendjen. Pikërisht atëherë telefoni im ra në dysheme dhe pushoi së punuari”, ka rrëfyer ai.

“Unë bërtita dhe bërtita për ndihmë dhe u përpoqa t’i tërhiqja dyert me duart e mia. Ishte errësirë brenda ashensorit, por fatmirësisht, kishte ajër të mjaftueshëm për të marrë frymë”.

Më pas ai kishte shtypur zilen e alarmit vazhdimisht, duke shpresuar se do të binte dhe do të tërhiqte vëmendjen e dikujt – por pa asnjë sukses.

“Me kalimin e orëve, nuk e kisha idenë nëse ishte ditë apo natë, pasi brenda ishte errësirë. Kur u lodha, fjeta në një cep. Më duhej të përdorja një kënd tjetër për të urinuar”, ka shtuar ai.

Normalisht kur ai viziton spitalin ai dhe gruaja e tij përdorin një ashensor të caktuar për punonjësit.

Por këtë herë ai hyri në një ashensor të destinuar për pacientët dhe vizitorët – për t’u ngjitur në katin e dytë. /Telegrafi/

Exit mobile version