Site icon Telegrafi

MENDIM I MIRË I MËNGJESIT

Poezi nga: Arthur Rimbaud
Përktheu: Muhamed Kërveshi

Në orën katër mëngjesit veror,
Gjum’i dashurisë s’ësht’ ndërprerë.
Në korie agimi përhap erë
Të natës festor’

Atje në një të madhe punishte
Nën diell të Hesparidëve aq larg,
Punëtorët punojnë n’ahishte
Duken hije varg.

Në lumë shkume, disi qetazi
Përgatisin dërrasa mermeri t’çmuar
Pasuria e qytetit haptazi
Qesh nën qiell t’hutuar.

Për këta të vyeshëm Punëtorë
Shtetas të mbretit të Babilonis’
Venerë, ik nga disa Dashnorë,
Shpirt i dashurisë.

E barinjve o Mbretëreshë!
Sillu punëtorëve raki me veti,
Fuqia e tyre t’mos çohet peshë
Pasi t’lahen n’deti!

Exit mobile version